Vajzës afgane, e bërë e famshme pasi u shfaq në kopertinën e revistës së njohur ”National Geographic”, në vitin 1985, iu dha statusi i refugjates nga kryeministri italian, Mario Draghi, sipas një njoftimi për shtyp nga qeveria italiane, njofton CNN.
Fotografia mbresëlënëse e Sharbat Gulës, atëherë 12 vjeçe, një jetime pashtun në një kamp refugjatësh në kufirin midis Afganistanit dhe Pakistanit, u bë në vitin 1984 dhe u botua një vit më pas.
Gula u gjurmua disa dekada më vonë, ndërsa jetonte në Pakistan, pasi askush nuk e dinte emrin e saj për vite me radhë.
Tashmë, rreth të dyzetave, Gula ka mbërritur në Romë.
“Në vitin 1985, falë fotografisë së Steve McCurryt për kopertinën e revistës ‘National Geographic’, Sharbat Gula fitoi famë botërore, deri në atë pikë sa simbolizonte peripecitë dhe konfliktet e fazës historike që po kalonte Afganistani dhe populli i tij”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e kryeministrit Draghi.
”Duke iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë civile dhe veçanërisht në mesin e organizatave jofitimprurëse aktive në Afganistan, të cilët pas ngjarjeve të gushtit të kaluar pranuan apelin e Sharbat Gulës për t’u ndihmuar të largohej nga vendi i saj, kryeministri ngarkoi dhe organizoi transferimin në Itali, në kontekstin më të gjerë të programit të evakuimit të shtetasve afganë dhe planit të qeverisë për pritjen dhe integrimin e tyre”, vijon deklarata.
CNN ka pyetur qeverinë italiane nëse edhe familjes së Gulës i është dhënë statusi i refugjatit, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
”E dija që kisha një pamje të pabesueshme, një vështrim shpues”, thotë ajo.
“Por, kishte një turmë njerëzish rreth nesh, pluhuri po ngrihej dhe kjo ishte përpara kamerave digjitale dhe ajo nuk e dinte se çfarë po ndodhte”, deklaroi McCurry i cili e dinte që më parë që ky imazhi do të ishte i veçantë.
”Ia tregova redaktorit të ‘National Geographic’ dhe ai u hodh përpjetë dhe bërtiti nga gëzimi se kjo do të ishte kopertina e radhës e revistës”, shtoi ai.
/a.r