Një klasë në shkollën 9-vjeçare të Këlcyrës është mbyllur për shkak se katër nxënës kanë rezultuar të infektuar me Covid-19. Ka qenë kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Edi Sinojrmeri, i cili vendosi mbylljen e klasës së tetë të shkollës, pasi 4 nga 21 nxënësit rezultuan pozitiv me Covid-19 në testet e shpejta të kryera mesditën e sotme. Kjo masë ekstreme u ndërmor për të këputur zinxhirin e transmetimit te nxënësit e tjerë, tha Sinojmeri. Klasa do të qendrojë e mbyllur për 14 ditë.
Infektimet e nxënësve dhe mësuesve kanë ndikuar në ecurinë e vitit arsimor. Në fillim të muajit, burime nga ministria e Arsimit thanë për A2 CNN se 2 klasa në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë, një në shkollën e Memaliajit, si dhe shkolla e Borshit me klasa kolektive, janë mbyllur për shkak të infektimit të disa nxënësve. Mjekët konstatojnë se fillimi i nëntorit ka rritur infektimet nga Covid-19 te fëmijët. Më të vegjlit po shfaqin më shumë probleme dhe nevoja për shërbim spitalor.
Gjatë nëntorit, disa shkolla në kryeqytet u kthyen në vatra të koronavirusit. Pas konfirmimit të pozitivitetit në disa shkolla, specialistët kanë rekomanduar mbylljen e përkohshme të klasës dhe kthimin e mësimit online.
Gjimnazi “Ismail Qemali” dhe “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet janë detyruar të mbyllin disa klasa dhe të karantinojnë nxënësit për të frenuar përhapjen e infeksionit. Sipas epidemiologëve, këtë periudhë në çdo bashki të vendit ka klasa të mbyllura për shkak të infektimeve në nxënës.
Pjesa më e madhe e fëmijëve të infektuar janë asimptomatikë, ndërsa numri i mësuesve të prekur është shumë i ulët. Nxënësit e shkollave dhe të rinjtë e pavaksinuar rezultojnë grupmosha më të prekur nga koronavirusi në këtë periudhë.
Ndërsa për mësuesit ka qenë e detyrueshme kryerja e vaksinës anti-Covid, për nxënësit vaksina është rekomanduar, por nuk është me detyrim dhe është lënë në zgjedhje të prindërve.
/b.h