Një sherr që çoi deri në përdorimin e armës ndodhi mbrëmjen e djeshme në zonën e portit të Jahteve në Orikum të Vlorës. Policia njoftoi se sherri ndodhi mes dy personave, ku njëri prej tyre në përplasje e sipër nxori armën duke qëlluar fillimisht në ajër dhe më qytën e pistoletës goditi disa herë në kokë një 37-vjeçar.
“Në afërsi të portit të jahteve, Orikum, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit është dëmtuar dyshohet me sende të forta nga persona ende të paidentifikuar, shtetasi E. Sh., 37 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshohet se njëri prej personave të përfshirë në konflikt ka qëlluar një herë me armë zjarri në ajër“, njoftoi mbrëmë policia.
Burime bëjnë me dije se 37-vjeçari që u godit me qytën e pistoletës në kokë është një person i njohur për policinë e Vlorës. Bëhet fjalë për Ermal Sherifin, i cili vetëm një vit më parë plagosi me armë në një lokal në Radhimë të riun Dean Kapaj. Sherifi mundi të arratisej për disa ditë, por në fund u prangos, ndërsa gjykata dha masën e sigurisë arrest shtëpie.
Nisur nga ngjarja në fjalë, policia dyshon se edhe përplasja e mbrëmshme lidhet me të, megjithatë nuk përjashtohen sipas burimeve edhe konflikte të tjera që mund të ketë patur 37-vjeçari i njohur në zonë si njeri problematik. /abcnews
g.kosovari