Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është bashkuar ngushëllimeve për viktimat në aksidentin tragjik në Bullgari, ndërsa ka ofruar gatishmërinë për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut në çfarëdo kapaciteti.
“I trishtuar dhe i pikëlluar nga lajmi për aksidentin tragjik në Bullgari.
Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, dhe u bashkohem lutjeve për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Momente të vështira si këto lehtësohen duke i qëndruar pranë njëri-tjetrit.
Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga ky lajm i kobshëm, dhe shprehë gatishmërinë e plotë për të ofruar ndihmën e saj në çdo kapacitet”, shkruan Kurti në Facebook.
Edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas aksidentit tragjik në Bullgari ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave.
Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka ndarë dhimjen me familjen e viktimave dhe shpreh se Kosova do t’u qëndrojë afër miqve në këto ditë të vështira.
“E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona. Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit. U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia.
“Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër miqve tanë në këto momente të vështira për ta”, ka shkruar Osmani.
g.kosovari