Bashkëshortja e Sali Berishës, Liri Berisha, në librin e saj me titull ‘Nënë Tereza në jetën time’, përpos vlerësimit dhe admirimit për gruan shqiptare më famshme në botë, ka shprehur edhe momente zhgënjimi për Nënë Terezën. Liri Berisha shkruan se nuk e priste që Nënë Tereza, gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri në 15 gusht 1989, të vendoste lule mbi varrin Enver Hoxhës si dhe të takonte të venë e diktatorit, Nexhmije Hoxhën. Liri Berisha shprehet e zhgënjyer për këtë veprim të Nënë Terezës, por nga ana tjetër nuk thotë asgjë për bashkëshortin e saj, Sali Berisha, pjesë e ish-Bllokut, doktor i Byrosë Politike dhe një njeri që shfaqej në oxhakun e Nexhmije Hoxhës, në varkë, dreka dhe darka me familjen e Enver Hoxhës si dhe në zyrën e Ramiz Alisë.
“Tingëllonte cinike dhe e habitshme për këdo përhapja e lajmit të vizitës së Nënë Terezës në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës, me kërkesë të kësaj të fundit. Pikërisht ata që nuk e pranuan kurrë as fizikisht, as shpirtërisht, ata, persekutorët e besimit, klerit, ndjenjave të saj, që nuk e lejuan të hynte asnjëherë në Shqipëri, madje as ta përcillte nënën dhe motrën për në banesën e fundit, kërkonin t’i tregonin botës se tani historia po ndryshon, se ishin kthyer në adhuruesit dhe përkrahësit kryesore të misionit të saj. A kishte përhapje më të besueshme dhe më të shpejtë të këtij lajmi, se ndryshimi kishte filluar në Shqipëri, sesa nëpërmjet njeriut me paqësor në botë? Por ajo që hapi diskutime mes njerëzve dhe që nuk u prit mirë, ishte vizita dhe vendosja e luleve nga Nënë Tereza mbi varrin e Enver Hoxhës, persekutorit më mizor të popullit të saj.
Të gjithë ne ishim viktima të atij sistemi dhe të një diktatori që shumëkujt i mori jetën, të tjerëve lirinë, dinjitetin, familjen, besimin e pasurinë. Nuk e kam pritur atë veprim dhe, jo rrallë kam pyetur veten, si dhe pse shkoi te varri i persekutorit më të ashpër, i atij që i solli kaq dhimbje popullit të vet, besimit dhe ndjenjave të saj. Nuk mund të them se në shpirtin e Nënë Terezës nuk ka pasur lëndim, zhgënjim dhe dhimbje për familjen dhe vendin. Edhe ajo si të gjithë ne u bë viktimë e asaj diktature. Ajo e dinte martirizimin e klerit nga regjimi komunist, si dhe shpalljen e Shqipërisë, shteti ateist i parë në botë nga ky diktator. Në shkrimet e saj ajo e ka shprehur padurimin për t’u kthyer në vendin e saj, dhimbjen. mallin, lotët e vuajtjen”.
Liri Berisha ka një shpjegim se pse Nënë Tereza vendosi lule tek Varri i Enver Hoxhës. Sipas saj, ky veprimi ishte një kusht i fshehtë i regjimit, në këmbim të vizitës në vendin ku preheshin nëna dhe motra e saj.
“Sipas shkrimeve të motrave të misionit, që shoqëronin Nenë Terezën në Shqipëri, kërkesa e parë e saj sapo mbërriti në Rinas, ishte te vizitonte vendin ku preheshin nëna dhe motra, të vendoste lule mbi varrin e tyre. Kjo kërkesë do të pranohej nga regjimi i kohës, vetëm me kushtin nëse fillimisht ajo do te vizitonte varrin e Enver Hoxhës. Regjimi komunist e kishte përgatitur këtë vizitë sipas një protokolli rigorozisht të kontrollueshëm. Qëndrimin e saj e kam menduar dhe shpjeguar si një pajtim, që vetëm ajo si një qenie e pastër e Zotit mund ta bëj, si një qenie që nuk mban mëri, mbase edhe për të kërkuar mëshirë për shpirtra të paqetë”.
Liri Berisha shkruan se edhe për një bisedë mes Sali Berishës dhe Nënë Terezës, teksa thotë se kishte menduar për një ritual bekimi.
“Kur po largoheshim nga shtëpia, Nënë Tereza erdhi të na përcjellë vetë deri te dera e oborrit. Pasi u përshëndet me mua, e tërhoqi pranë vetes Saliun dhe diçka i tha në vesh. Mendova se po bënte një ritual bekimi, por pasi u ndanë, vura re një buzëqeshje kënaqësie në fytyrën e tij, dhe kur u larguam e pyeta.
– M’u duk se Nënë Tereza të tha diçka. Saliu nuk m’u përgjigj menjëherë, gjë që më shtoi kuriozitetin.
Pse nuk e ndan me mua kur duket se është diçka e mirë, ngulmova unë. Kuptova që çfarëdo që i kishte thënë, për Saliun ishte një nga ato shenjat e mira që njeriu i ruan me fanatizëm për vete. Ndaj ngulmova përsëri.
– Më tha se kam shumë besim te forca dhe përpjekja që bën. Unë lutem për fitoren tënde dhe të uroj sukses për të mirën e vendit.
Ky ishte një urim i thjeshtë, por në ato momente të vështira për ne, jo vetëm të një situate politike agresive, por edhe në kushtet kur me gjithë dëshirën për të kthyer zemrat nga Zoti, rruga e lutjes sonë dukej tmerrësisht e gjatë, bekimi i Nënë Terezës dukej si një rreze e ngrohtë dielli, një shpresë. Pas disa muajve Partia Demokratike i fitoi zgjedhjet. E kam menduar se ato fjalë të Nënë Terezës ishin një lloj bekimi për fitoren jo thjesht të Partisë Demokratike, por të një erë të re për Shqipërinë dhe popullin shqiptar”./Adriatik Doçi-shqiptarja.com/mj
Shih veten tende