Presidenti Ilir Meta do të dalë në një konferencë për shtyp këtë të hënë. Zëdhënësi i tij, Tedi Blushi ka njoftuar se kreu i shtetit do të dalë live për mediat në orën 17:30 në ambientet e Presidencës.
“Sot në ora 17:30, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ju fton të gjithëve në një konferencë për mediat, në ambientet e Institucionit të Presidentit”, njoftoi Blushi.
Nuk dihet se pse do të dalë në një konferencë për shtyp kreu i shtetit. Ama kjo dalje publike e tij vjen në një moment, kur ai është akuzuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, se i “ka çuar ujë te mulliri Edi Ramës” në zgjedhjet e 25 Prillit.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj Ardian Dvoranit pas padisë që ka bërë Ilir Meta ndaj tij.
Prokuroria ka argumentuar se Dvorani nuk ka kryer vepër penale. Nga ana tjetër, kreu i shtetit e ka akuzuar për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit.
/a.r