Ish-liderat e Ballkanit Perëndimor ndodhen në Tiranë në një konferencë për domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit, që të lihen pas mëritë dhe konfliktet historike mes shteteve.
Ish presidentët dhe kryeministrat nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit. Të pranishëm në konferencë ishin: Sh.T. Alfred Moisiu, President i Shqipërisë (1999-2005); Kryetar i KLNP Ballkan, Dr. Katsumi Otsuka, Kryetar, FPU Europë & Lindje e Mesme, Sh.T. Filip Vujanovi?, President i Malit të Zi (2003–18); President i Klubit të Podgoricës, Sh.T. Stepan Mesi?, President i Kroacisë (2000–2010); Anëtar i Klubit të Podgoricës, Sh.T. Agim Çeku, Kryeministër i Kosovës (2006–2008).
Fjala e ish-presidentit Shqiptar, Alfred Moisiu:
Siç e dimë, aspirata e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor është integrimi në Bashkimin Evropian dhe unë e kam shprehur edhe më parë qe Bashkimi Evropian duhet patjetër ti hapë negociatat. Ne jemi të vetëdijshëm se, përveç detyrave të shtëpisë dhe problemeve që ka secili vend brenda vetes, ne na mungon bashkëpunimi në nivelin e duhur në rajon, dhe së fundmi tensionet sa po vijnë e po rriten. Edhe një herë dua ta theksoj se udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërgjegjësohen për gabimet e të kaluarës dhe të marrim përgjegjësi për to, si shtete dhe udhëheqës, duke treguar lidership kurajoz dhe vizionar. Kjo është e vetmja mënyrë që brezat që vijnë të mos trashëgojnë dështimet tona.
Përgjegjësia jonë është e shumëfishtë:
1. Ne duhet tu lëmë të rinjve dhe brezave që vijnë një trashëgimi të paqes, duke u siguruar atyre një të ardhme më të mirë, brenda familjes evropiane. Ne duhet të bëjmë të pamundurën që të mbajmë gjallë te të rinjtë shpresën për të ardhmen në vendet e tyre, sepse potenciali është shumë i madh, dhe duhet të ndalojmë largimin e tyre në perëndim që po sjell shpopullim.
2. Ne duhet të ndërtojmë të ardhmen e rajonit tonë bazuar te vlerat e familjes, të cilat janë pjesë e rëndësishme e kulturave tona në Ballkan. Familjes i kushtohet një rëndësi e veçantë në të gjitha veprimtaritë e Federatës së Paqes Universale dhe mendoj se kjo është me shumë vend. Pa familje të forta dhe të qëndrueshme nuk mund të ketë shoqëri dhe kombe të qëndrueshme.
3. Ne duhet të punojmë akoma edhe më shumë për të kapërcyer sfidat që vijnë si pasojë e konflikteve etnike dhe fetare që kanë ndodhur në rajonin tonë dhe kanë ndikuar jo pak gjatë historisë së Ballkanit, e mesa duket akoma vazhdojnë të ndikojnë në mendësinë e popujve tanë.
Kam besimin se bashkëpunimi mes Klubit të Podgoricës dhe Federatës së Paqes Universale si edhe hapja e Ambasadës së Paqes do të kontribuojë për të çuar përpara procin e pajtimit mes popujve të Ballkanit dhe ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajonin tonë.
Së fundmi, uroj që frymëzimin që do të merrni gjatë kësaj konference përmes mesazheve, diskutimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave me njëri tjetrin do të ndikojë për të kuptuar se ne i përkasim njëri tjetrit dhe që së bashku jemi përgjegjës për ardhmen e fëmijëve tanë dhe brezave që vijnë.
/b.h