2016-a është shpallur viti kulturor i shkrimtarit Ismail Kadare nga Bashkia e Gjirokastrës. Kjo nismë është marrë në kuadër të 80-vjetorit të shkrimtarit të madh shqiptar i njohur ndërkombëtarisht dhe i përkthyer në disa dhjetëra gjuhë.
Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami ka deklaruar se përgjatë gjithë vitit 2016 do të zhvillohen aktivitete të shumta në qytetin e lindjes së shkrimtarit.
“Në vitin 2016 do të hapet shtëpia Muze Ismail Kadare, e cila u restaurua së fundi. Shtëpia e lindjes së shkrimtarit pritet të kthehet në një itinerar për mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. Bashkia pritet të propozojë edhe ngritjen e një shtatoreje të shkrimtarit në një nga sheshet qendrore të qytetit,” tha kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami.
Ismail Kadare lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër dhe është shkrimtari më i njohur shqiptar. Ai është përkthyer sot në botë në rreth 50 gjuhë dhe është nominuar disa herë për çmimin NOBEL të Letërsisë. Gjithashtu Kadare pak ditë më parë është vlerësuar me dekoratën më të lartë në Francë, “Komandant i Legjionit të Nderit”. Ndërsa që nga viti 1996, Ismail Kadare është zgjedhur anëtar i përhershëm i Akademisë Franceze të Shkencave Politike dhe Morale.
80-vjetori i lindjes së shkrimtarit shqiptar kurorëzohet me disa nga çmimet më të mëdha të letërsisë në rang ndërkombëtar. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Ndërsa një vit më parë në shkurt të 2015-ës, Ismail Kadare fitoi një tjetër çmim të rëndësishëm, siç është çmimi i letërsisë në Jeruzalem International Book Fair.