Në një intervistë për emisionin Pa Protokoll të gazetares Anduela Ndreu kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi se PD nuk rrezikon të ndahet në dy parti pas kuvendit kombëtar të 18 dhjetorit, ndërsa tha se do të zbatojë statutin për përjashtimin e Berishës.
Kryedemokrati Lulzim Basha theksoi në emisionin Pa Protokoll në Report Tv se do të vijojë të jetë kryetari i PD-së edhe pas 11 dhjetorit të Kuvendit të Berishës, ndërsa konfirmoi se demokratët do të festojnë ditën e themelimit të partisë.
“11 dhjetori është dita e themelimit të PD-së, në të cilën PD-ja do të organizojë si përherë, ditën e saj për të bashkuar. Asnjëherë PD-ja nuk ka zhgënjyer dhe nuk ka lënë në harresë ditën e themelimit të saj”,
Basha sqaron se nuk ka zbritur në bazë për të mos shfokusuar betejën me kundërshtarin politik qëështë kryeministri Rama, të cilit thekson ai po i shërben aktualisht Berisha me foltoren e tij duke angazhuar elementë kriminalë që shkaktuan masakrën zgjedhore të 25 prillit.
“Si mund të mos merret ai, me atë që e di i gjithë Elbasani, që Aqif Rakipi, i larguar nga parlamenti për shkak të Ligjit të Dekriminalizimit, po punon ethshëm për të kërcënuar e shantazhuar demokratët e Elbasanit? Bëhet fjalë për një figurë kryesore të krimit të organizuar që është përjashtuar nga parlamenti për shkak të dekriminalizimit; për Suel Çelën, që u kthye në një personazh të krimit në zgjedhjet e 25 prillit; për Rrahman Rrajën në Fushë-Krujë; për Tom Doshin. Bëhet fjalë për figura të krimit të organizuar që më 25 prill kanë qenë në krah të Edi Ramës më keq se kaq. Janë pjesë e masakrës zgjedhore. Kanë dhunuar demokratët edhe fizikisht. Ç’i lidh ata me lëvizjen e Sali Berishës? Kësaj pyetjeje, Sali Berisha ka më shumë se 10 ditë që nuk i jep përgjigje dhe nuk mund të fshihet as pas metaforave dhe as pas pllakatave që shpalos në faqen e tij zyrtare apo në foltore”, tha Basha.
Por pavarësisht betejës së hapur të Berishës, kryedemokrati Basha thekson se PD nuk rrezikon aspak të ndahet në dy parti pas 18 dhjetorit. Por thotë se do zbatojë statutin e PD për përjashtimin e Berishës.
“Vijat e kuqe nuk i përcakton kryetari i PD-së, i përcakton Statuti i PD-së dhe çdo akt, veprim apo qëndrim që bie ndesh interesave elektorale dhe politike të PD-së, që shkel mbi sakrificën e demokratëve për interesat personale të çdokujt, pa diskutim dhe pa më të voglin hezitim, do të marrë përgjigjen që përcakton statuti”, vijoi kryedemokrati.
Sa i takon marrëdhënieve me aleatët Basha refuzon të bëjë replika me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi e as me presidentin Ilir Meta por thekson se PD është e hapur të bashkëpunojë me çdo parti që punon pa hile.
Intervista e plotë
Zoti Basha, faleminderit që pranuat të jepnit një intervistë për emisionin tim! Unë do ta nisja ndryshe këtë intervistë, duke iu referuar faktit që nga foltorja e PD-së të zotit Berisha, ku kështu është një foltore për një parti më të bashkuar dhe më demokratike, pretendohet që pas 11 dhjetorit ju nuk do të jeni kryetari i PD-së.
Unë nuk dua të harxhoj asnjë sekondë tuajën apo të teleshikuesve tuaj me të tilla supozime pa baza. Më 18 dhjetor PD-ja ka Kuvendin e saj Kombëtar, një kuvend i cili thirret në një rrethanë të imponuar nga zoti Berisha, i cili pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA-ja, u angazhua para demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, se nuk do ta përfshinte PD-në në një betejë personale dhe ligjore me qeverinë e SHBA-së.
Megjithatë, zoti Berisha sot e ka konsideruar 18 dhjetorin si një antimiting i 11 dhjetorit, që simbolika është shumë e bukur në fakt për PD-në, për kuvendin e thirrur nga zoti Berisha.
Nuk kam ndër mend të komentoj zotin Berisha, siç nuk kam bërë gjithë këto kohë sepse e konsideroj jo vetëm një gjë të padobishme, por edhe të dëmshme. Këta dy muaj kam provuar se zoti Berisha ka dy interesa: të përdorë PD-në për t’u mbrojtur nga vendimi ‘non grata’ i SHBA-së dhe, në funksion të kësaj, të përçajë PD-në duke shkelur kështu zotimin që ka dhënë se nuk do ta përdorte PD-në dhe grupin parlamentar të PD-së në betejën që nuk e ka as me mua, as me ndonjë demokrat tjetër, por e ka me SHBA-në.
Çfarë është 11 dhjetori për ju?
Është dita e themelimit të PD-së, në të cilën PD-ja do të organizojë si përherë, ditën e saj për të bashkuar
Pra, do të keni një festë më 11 dhjetor, pavarësisht se demokratët e thirrur nga zoti Berisha do të mblidhen në kuvend?
Asnjëherë PD-ja nuk ka zhgënjyer dhe nuk ka lënë në harresë ditën e themelimit të saj, që përkon jo më kot me triptikun e rrëzimit të diktaturës, pra të një regjimi njëpartiak, të shpalljes së pluralizmit dhe të lindjes së PD-së. Janë të pandara nga njëra-tjetra. Do të jenë të pandara këtë vit dhe çdo vit, por nuk do të jenë në funksion as të agjendës sime personale, aq më pak të agjendës personale apo interesave personale për t’u përdorur si mburojë kundër aleatit tonë strategjik, SHBA-së.
Meqenëse ju po flisni për agjendën personale, zoti Berisha që prej 9 shtatorit, kur ju dhatë vendimin për pezullimin nga grupi parlamentar i PD-së, ka vijuar takimet me demokratët në bazë. Ju pse nuk e keni bërë këtë gjë ose kjo strategji që ju keni ndjekur, a ndoshta nuk është e duhura apo ka një plan që ju nuk u takuat edhe me demokratët për t’u shpjeguar qoftë edhe këtë vendim që morët.
Së pari, vendimi është shpjeguar në mënyrën më shteruese ditën që është marrë dhe është shpjeguar në bazë nga deputetë, nga kryetarë të strukturave dhe është kuptuar fare qartë. Së dyti, të mos harrojmë, qëllimi i PD-së nuk është që t’u shërbejë interesave të një personi. PD-ja në këta dy muaj nuk mund të mungonte në betejën e vërtetë që është me regjimin e Edi Ramës. Dhe në këtë betejë ne nuk kemi munguar asnjë ditë. Nuk kemi munguar në ato zotime që kemi marrë për ta kthyer parlamentin dhe praninë tonë në parlament në një betejë permanente për rikthimin e demokracisë dhe zhbërjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit dhe ju e keni parë këtë. Kemi çuar tre amendamente kushtetuese, kemi kërkuar nisjen e tre komisioneve hetimore, dy prej të cilëve kanë nisur tashmë. Kemi ndjekur përditshmërinë e shqiptarëve duke propozuar uljen e TVSH-së dhe kemi bërë një betejë të përditshme dhe do të vazhdojmë një betejë të përditshme ndaj një regjimi, i cili është kthyer në një hall, në një makth të përditshëm të shqiptarëve. Këtij aksioni politik, në vend që ta ndihmonte me aktet për të cilat ishte zotuar, hedhjen një hap prapa dhe trajtimin siç do ta trajtonte çdokush, siç do ta trajtoja edhe unë problemin e shpalljes non grata, Sali Berisha i është përgjigjur duke mobilizuar energjitë e tij në një betejë jo kundër kundërshtarit tonë politik, por kundër PD-së dhe për këtë arsye e kam cilësuar një tub oksigjeni për regjimin sepse ndërkohë që ne jemi përballë Edi Ramës, në mënyrë të përditshme dhe me një aksion të strukturuar politik, zoti Berisha të vetmin kontribut që po jep është shfokusimi i këtyre energjive, shpërqendrimi nga beteja me Edi Ramën dhe fatkeqësisht, së fundi, siç e kemi parë, shpalosjen nën flamurin e lëvizjes së tij të të njëjta figurave të krimit të organizuar që demokratët i kishin përballë në zgjedhjet e 25 prillit.
Dakord dhe pikërisht për këtë, sot zoti Berisha ka pasur një reagim, për këto deklarata që ju po bëni edhe aktualisht, në lidhje me përfshirjen e krimit në këtë proces që ka nisur tashmë foltorja e zotit Berisha. Po e citoj të saktë, duke ju përmendur juve, thotë: “Po të hyjnë me ushtarë, ju nxjerr me këpucë të kuqe”.
Nuk preferoj të komentoj metafora, pas të cilave nuk fshihet dot mungesa e përgjigjes. Zoti Berisha njihet që me protagonizmin e tij, është marrë me figura që askush ndoshta s’i kishte dëgjuar para se të denoncoheshin nga ai. Dhe shumë prej këtyre denoncimeve edhe kanë qëndruar. Jo të gjitha, por një pjesë kanë qëndruar. Si mund të mos merret ai, me atë që e di i gjithë Elbasani, që Aqif Rakipi, i larguar nga parlamenti për shkak të Ligjit të Dekriminalizimit, po punon ethshëm për të kërcënuar e shantazhuar demokratët e Elbasanit?
Keni fakte për këtë?
Pa diskutim. Sekretari i përgjithshëm i ka bërë publike të gjitha ato që PD-ja ka konstatuar dhe ka njoftuar po kështu edhe faktin që gjithçka është e dokumentuar dhe e verifikueshme. Pra, që të kthehemi te pyetja, bëhet fjalë për një figurë kryesore të krimit të organizuar që është përjashtuar nga parlamenti për shkak të dekriminalizimit; për Suel Çelën, që u kthye në një personazh të krimit në zgjedhjet e 25 prillit; për Rrahman Rrajën në Fushë-Krujë; për Tom Doshin. Bëhet fjalë për figura të krimit të organizuar që më 25 prill kanë qenë në krah të Edi Ramës më keq se kaq. Janë pjesë e masakrës zgjedhore. Kanë dhunuar demokratët edhe fizikisht. Ç’i lidh ata me lëvizjen e Sali Berishës? Kësaj pyetjeje, Sali Berisha ka më shumë se 10 ditë që nuk i jep përgjigje dhe nuk mund të fshihet as pas metaforave dhe as pas pllakatave që shpalos në faqen e tij zyrtare apo në foltore. Fakti është që këta njerëz, që ne i kishim përballë dhe kundër dhe janë bashkautorë të masakrës zgjedhore të 25 prillit, sot papritur kanë interes që të mbështesin zoti Berisha. Dhe ky është një problem shumë i madh, i cili, për ta thënë me fjalë të buta, dëmton rëndë besueshmërinë dhe legjitimitetin e gjithçkaje tjetër që Sali Berisha pretendon në raport me këtë lëvizje.
A rrezikon që pas 18 dhjetorit PD-ja të ndahet në dy parti politike?
Nuk rrezikon aspak sepse PD-ja ka qenë bashkë në Ligjin për Dekriminalizimin, PD-ja është bashkë
Bashkë por nuk mundët dot as Edi Ramën.
Kjo s’është e vërtetë sepse raporti i ODIHR-it, i vitit 2021, flet qartë për një proces zgjedhor të shkatërruar nga nisja deri në fund, që nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese deri te përfshirja e shtetit, deri te dhunimi i privatësisë dhe ngritja e sistemit alla Sigurimi i Shtetit, e patronazhistëve, deri te kapja e medieve, dhe mund të them, një paragraf po të citojmë, një rekomandim po të citojmë, kuptohet qartë se çfarë ka qenë 25 prilli. Shteti duhet të garantojë fshehtësinë dhe lirinë e votës. Thënë ndryshe, qeveria e Edi Ramës, më 25 prill ka arritur atë nivel të dhunimit të zgjedhjeve, ku nuk garantohet as liria, as fshehtësia e votës. Pra jemi kthyer më keq se në vitin 1991 apo, siç e kam thënë shpesh, jemi kthyer në Bjellorusinë e Lukashenkos. Kjo është e qartë, besoj. Kështu që për t’u rikthyer te pyetja që shtruat, për ne 18 dhjetori është ditë bashkimi për të çuar më përpara betejat, për të cilat shqiptarët na kanë votuar, jo sepse kemi blerë votën, jo sepse i kemi kërcënuar, jo sepse kemi angazhuar krimin apo jemi mbështetur te pakica e oligarkëve që pasurohet ndërkohë që populli varfërohet për shkak të vendimeve të Edi Ramës, jo, pikërisht se kemi bërë të kundërtën dhe po vazhdojmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë të kundërtën në interes të shqiptarëve. Kemi çuar në parlament vetting-un e politikanëve, kemi çuar komisionin hetimor për zgjedhjet, Reformën Zgjedhore, së shpejti Reformën Territoriale, kemi çuar amendamentin për uljen e TVSH-së sepse edhe sot që flasim, problemi kryesor i shqiptarëve është rritja e çmimeve dhe fakti që 50% e familjeve shqiptare e kanë të vështirë të shtrojnë më shumë se një vakt për veten e tyre apo për fëmijët e tyre. PD-ja është në funksion të tyre, është në funksion të halleve të tyre, jo të halleve të Sali Berishës.
Pra nuk kemi një PD të përçarë pas 18 dhjetorit.
Jo në qëllimet që e bashkojnë PD-në. PD-ja është një familje që bashkohet nga qëllimet, nga vlerat, nga parimet, nuk është një formacion mbrojtës ndaj kujtdo individi, qoftë ky Sali Berisha apo Lulzim Basha.
Dakord. Atëherë, meqenëse nuk kemi një PD të përçarë për qëllimin, pyetja është për opozitën. Me LSI-në, cila është marrëdhënia juaj? Aktualisht ju kemi parë shumë larg me zonjën Kryemadhi apo edhe me zotin Meta, që keni bërë replika në distancë. A ka shanse që të ketë më koalicion PD-LSI?
Jo, nuk preferoj të hyj në apo të preferoj ta ul nivelin e bisedës në komentimin e replikave të bëra apo kundër replikave të imagjinuara. Për mua, si kryetar i opozitës, misioni është fare i qartë. Të gjithë ata që e shohin veten përballë regjimit, jo vetëm që janë të mirëpritur, por do të krijojmë mekanizmin, platformën qytetare për demokracinë që ta gjejnë veten e tyre dhe të japin maksimumin në këtë betejë, pa hile, por ama të hapur që, aq sa mundet të japin kontributin e tyre, qofshin këto forca politike, parti politike, qofshin faktorë shoqërorë, qofshin grupe interesi, të cilët mezi presin çlirimin e Shqipërisë nga ky makth dhe çlirimi i Shqipërisë nga ky makth do të vijë. Dhe PD-ja më 18 dhjetor do të rikonfirmojë se është e vetmja shpresë për ta sjellë këtë ndryshim. Më 25 prill shqiptarët donin ndryshimin, ndryshimi iu mohua përdhunshëm përgjatë një viti pothuajse krimesh elektorale, vendimesh të njëanshme, abuzimit me shtetin dhe me burimet shtetërore, përfshirjes së krimit, shitblerjes së votës. Më 18 dhjetor PD-ja do të rikonfirmojë se është forca e vetme, alternativa e vetme, e cila jo vetëm do të mundë këtë të keqe, por do të mundë po kështu makthin 30-vjeçar të transicionit. Pra nuk bëhet fjalë thjesht për zhvendosjen e regjimit, për heqjen e regjimit, bëhet fjalë për një transformim tërësor të qëndrimeve të PD-së ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve dhe ndaj vizionit tonë për të nesërmen.
A është gati PD-ja për zgjedhje të parakohshme, qoftë edhe ato lokale?
PD-ja ka qenë dhe do të jetë gati për çdo sfidë. E rëndësishme është beteja për demokracinë, beteja për lirinë e votës, beteja për lirinë dhe të drejtat e qytetarëve, e cila është sot sfida më e madhe e Shqipërisë dhe e çdo shqiptari të ndershëm.
Uroj që edhe pas 11 dhjetorit të zotit Berisha, të vijoni betejat tuaja.
Dhe unë ju siguroj që 18 dhjetori, Kuvendi Kombëtar i PD-së, do të jetë kuvend i bashkimit të demokratëve dhe për demokratët, në funksion të një Shqipërie demokratike dhe të përparuar.
Do të jetë i përjashtuar zoti Berisha nga PD-ja?
Unë e kam thënë në ditën time të parë si kryetar i PD-së dhe dua ta përsëris: nuk kam përjashtuar dhe nuk përjashtoj askënd nga PD-ja, nuk mbaj askënd me zor në PD, por një gjë të jetë e qartë si drita e diellit, statuti që na bashkon, që na mban bashkë, do të zbatohet. Vijat e kuqe nuk i përcakton kryetari i PD-së, i përcakton Statuti i PD-së dhe çdo akt, veprim apo qëndrim që bie ndesh interesave elektorale dhe politike të PD-së, që shkel mbi sakrificën e demokratëve për interesat personale të çdokujt, pa diskutim dhe pa më të voglin hezitim, do të marrë përgjigjen që përcakton statuti. Shqiptarja.com