Nga Adriatik Doçi
Ndarja politike mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës duket e pakthyeshme. Për 23 vite me radhë Sali Berisha ka përjashtuar me dhjetëra figura dhe eksponentë nga Partia Demokratike, pro pas 30 vitesh duket se Sali Berisha do të përjashtohet nga partia. Pas përjashtimit nga grupi parlamentar demokrat në 9 shtator 2021, Lulzim Basha ka sinjalizuar dy herë brenda javës mundësinë e përjashtimit të Sali Berishës edhe si anëtar i Partisë Demokratike.
Nëse nga grupi parlamentar demokrat Bashka e përjashtoi Berishës për shkak të vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur non grata bashkë me Familjen për korrupsion madhor, shantazhe drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri, Basha pritet ta përjashtojë Berishën si anëtar të PD-së për përçarjen e partisë, dëmtimin e interesave të PD-së me anë të Foltores, për lidhje me krimin, falsifikimin e firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD, ngritjen e strukturave paralele në parti, mosnjohjen e strukturave drejtuese të PD-së, luftën kund SHBA, përdorimin e partisë si mburojë për Familjen etj.
Në 15 nëntor 2021, Kryesia e PD-së, 26 vota pro, 3 kundër dhe 7 abstenim, miratoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së në 18 dhjetor. Në rendin e ditës, përpos të tjerave, janë parashikuar edhe dy pika, që nënkuptojnë planin për ndëshkimin dhe përjashtimin e Berishës nga PD-ja për shkak të Foltores.
Pika e parë e axhendës së Kuvendit të PD-së parashikon se “Vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesat elektorale dhe politike të PD, dhe axhendën e saj politike në përballjen me regjimin e Edi Ramës”.
Ndërsa pika 3 parashikon që “Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe
politike të Partisë Demokratike”. Pika e tretë nuk lë shumë vend për dyshime: Foltorja do të konsiderohet si një lëvizje që dëmton interesat e PD-së pas Kuvendit të 18 dhjetorit.
Dy ditë më pas, në 17 nëntor 2021, Lulzim Basha mblodhi 71 krerët e degëve të PD-së, nga të cilët vetëm 5 ishin pro Foltores. Në këtë mbledhje me dyer të mbyllura, Lulzim Basha paralajmëroi për herë të dytë Sali Berishën se mund ta përjashtojë nga partia. “Do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga statuti i partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi statutin dhe nuk është mbi të tjerët”, tha Basha.
Po cila është ajo pikë e statutit që i jep fuqi Bashës të përjashtojë Berishën nga partia? Paralajmërimi i Bashës bazohet në nenin 27 të statutit të PD-së, i cili parashikon që “Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së”.
Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi nga partia. Këto masa merren nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PD-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit, që drejtohet nga Flutura Açka.
Pika 5 e nenit 27, parashikon të drejtën e Lulzim Bashës për ta përjashtuar Sali Berishën nga partia, edhe pa mbledhur Kryesinë. “Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore”, parashikon pika 5. Nëse Basha e ushtron këtë të drejtë, vendimi i tij për ndëshkimin e Berishës dhe Foltores paraqitet për miratim në Kryesinë e PD-së.
Neni 27 i Statutit të PD-së për sanksionet
1.Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së.
2.Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit. Ato mund të bëhen publike.
3.Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritetit, brenda 5 ditëve nga paraqitja e ankimit.
4.Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e Degëve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera.
5.Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.
6.Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurat e dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinore për anëtarët përcaktohen në aktet nënstatutore./shqiptarja.com/m.j