Ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar situatën e trazuar në kampin blu, duke theksuar se ashpërsimi i gjuhës së të dyjave palëve, Berishës nga njëra anë dhe Bashës nga ana tjetër, tregon se po ecin në kahe të ndryshme.
Patozi u shpreh se PD ka dy zgjidhje: ose të ndahet përfundimisht për t’u rikuperuar ose e gjithë kjo gjendje do të jetë një kosto për demokratët.
“Të dyja palët i kanë hequr dorezat dhe janë të gatshëm që të ecin me maksimumin e forcës drejt objektivave të tyre. Unë tani besoj gjithçka. Ashpërsimi i retorikës do të thotë që të dyja palët do të përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta likuiduar kundërshtarin. Berisha ka përmendur termin “revolucion paqësor”, që i drejtohet Bashës, kërkon ta trembë Bashën që të tërhiqet nga pozicioni i tij. Ajo që unë mendoj është që PD duhet të pranojë që ka të bëjë më dy entitete të ndryshme politike brenda saj. E bukura është që sa më shpejt që të ndahet, aq më kollaj mund të shpëtojë nga kjo krizë e brendshme. Ekzistenca e dy kuvendeve brenda një jave nuk është gjë tjetër vetëm finalizimi i dy aksioneve brenda PD-së që ecin në drejtim të kundërt. Unë parashikoj që PD ka dy rrugë, ose të ndahet sa më shpejt që t’i lejojë vetes rikuperimin deri në zgjedhjet e ardhshme, ose përndryshe zgjatja e agonisë do ta shtojë koston që do të paguhet nga demokratët. Berisha dhe Basha janë përgjegjësit e kësaj gjendjeje dëshpëruese”, u shpreh Patozi.
/a.r