Një 19-vjeçare nga Kosova, e identifikuar si Bleona Tafallari është arrestuar gjatë një operacioni të policisë në Milano të Italisë, nën akuzën e terrorizmit. Arrestimi erdhi pas një hetimi disamujor të Prokurorisë së Milanos, e cila kishte kërkuar edhe masën e sigurisë arrest me burg për 19-vjeçaren.
Bleona Tafallari, një mbështetëse e ISIS është bashkëshortja e Kujtim Fejzullahut, autori i sulmit të përgjakshëm në Vjenë në nëntorin e vitit të kaluar, ku humbën jetën 4 persona. Fejzullahu, 20 vjeç qëlloi njerëzit në Vjenë me kallashnikov e thikë, ndërsa më pas u qëllua për vdekje nga policia.
Ndërkohë, sipas hetimeve italiane rezulton se bashkëshortja e tij është radikalizuar që në moshën 16-vjeçare. Ajo ishte transferuar së fundmi nga Kosova në Milano, por qëndronte në komunikim të vazhdueshëm me një celulë xhihadistësh kosovare.
19-vjeçarja kishte në celularin e saj mijëra video dhe imazhe, disa prej të cilave të krijuara nga agjencia e komunikimit të Shtetit Islamik.
Mësohet se mbante komunikime të rregullta edhe me vajzë të quajtur Suada, e cila ishte vajza e Bujar Hysës, i dënuar për terrorizëm. Në bisedat mes tyre, shprehnin entuziazmin për ISIS, ndërsa Erza, shoqja e Suadës i dërgonte 19-vjeçares edhe foto të djalit të saj të mitur, të veshur me veshje të përdorur nga terroristët dhe duke pozuar me armë pranë.
Në mesazhe, Tafallari i shkruan shoqes së saj “sikur ta prekja dhe unë atë që ka prekur ai”, duke iu referuar armës.
/a.r