Bashkia e Tiranës ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Veronës për krijimin e një ndërmarrje publike, e cila do të bëjë grumbullimin dhe menaxhimin e mbetjeve, raporton Balkanweb. Përmes kësaj marrëveshje të firmosur nga kryebashkiaku, Erion Veliaj dhe homologu tij, Flavio Tosi, Bashkia e Tiranës do të marrë nga institucionet e qeverisjes vendore në Veronë eksperiencën e mirë për pastrimin e qytetit.
“Më vjen mirë që nënshkruajmë një marrëveshje mirëkuptimi me Bashkinë e Veronës, për të nisur për herë të parë një ndërmarrje publike midis Bashkisë së Veronës dhe Bashkisë së Tiranës, për grumbullimin e mbetjeve në Tiranë dhe për të sjellë një mënyrë të re, moderne dhe transparente të menaxhimit të aseteve publike nga ente publike, siç janë dy bashkitë tona”, deklaroi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se Verona është një ndër bashkitë model në Europë që i pastron dhe i menaxhon vetë mbeturinat e qytetit.
“Duke filluar nga muaji i shkurt ose mars, një ndërmarrje publike e Bashkisë së Tiranës dhe Veronës do të kryejnë menaxhimin e mbetjeve dhe pastrimit të pjesës qendrore të Tiranës, duke futur edhe konceptin e riciklimit dhe ndarjes në burim të mbetjeve”, u shpreh Veliaj. Ai tha se përmes këtij menaxhimi do të nisë një kulturë e re, ku publikja nuk do të shihet më si diçka që menaxhohet keq.
“Në Bashkinë e Tiranës e nisëm punën tonë duke u fokusuar te pastërtia dhe pastrimi i qytetit. Ndaj, duke qenë krenarë për çfarë kemi arritur me pastrimin e qytetit, nuk besoj se ka mënyrë më të mirë për të thënë se ambicia jonë është shumë më e lartë nga ç’kemi arritur deri sot. E duam Tiranën qytetin më të pastër në rajon”, tha Veliaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi, i cili rikthehet për herë të dytë në kryeqytetin e Shqipërisë, tha se në këto katër muaj Tirana është më e rregullt dhe më e organizuar se më parë. “Kam ardhur edhe vitin e kaluar dhe sot më jep edhe më shumë përshtypjen e një qyteti të gjallë, në rritje. Është bukur të shikosh një qytet, i cili është dukshëm në rritje, ndaj ju përgëzoj sepse që tani shihet një qytet më i rregullt dhe më i organizuar se disa muaj më parë. Duket qartë që dora e kryebashkiakut është një ‘dorë’ efikase, ndaj ju përgëzoj!”, tha Tosi.
Lidhur me marrëveshjen mes dy bashkive, kryebashkiaku i Veronës e përgëzoi homologun e tij mbi përzgjedhjen e bërë pasi në qytetin ku ai drejton ka një ndërmarrje, e cila kryen funksione të rëndësishme si menaxhimi i energjisë së rinovueshme, gazit apo mbetjeve. “Kjo ndërmarrje është tërësisht publike dhe duke qenë e tillë konkurron edhe me privatin, duke qenë se realisht qytetarët e Veronës mund të zgjedhin për energjinë elektrike dhe gazin AGSM, apo çdo lloj ndërmarrje tjetër”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Veronës. Sipas tij, qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi i ndërmarrjes shtetërore në menaxhimin e punëve publike.
“AMIA në qytetin tonë, ashtu si kudo, konkurron me privatin, ndaj edhe qëllimi i këtij bashkëpunimi duhet të jetë pikërisht futja e praktikave më të mira të grupit AGSM dhe AMIA, në mënyrë që edhe Tirana të mos ketë nevojë për Veronën, por të ndërtojë një menaxhim të sajin, të ketë aftësinë e saj organizuese, ashtu siç duhet të jetë”, përfundoi Flavio Tosi.
Përpara firmosjes së kësaj marrëveshje bashkëpunimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dhuroi “Çelësin e Qytetit” kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi.