E diela ishte për tu harruar për Portugalinë. Stadiumi Estadio da Luz ra në heshtje kur Serbia i shkaktoi humbjen e papritur luzitanëve, madje duke marrë një fitore në frymën e fundit kur sulmuesi Aleksandër Mitrovic shënoi golin e dytë, në një kohë kur takimi dukej se po shkonte në barazim 1-1.
Serbët besuan te suksesi, ndoshta ishin të motivuar më tepër, sepse qeveria në marrëveshje me federatën e vendit ofroi një shpërblim në rast të një fitoreje.
Gjatë fluturimit për në Portugali, drejtuesit e federates së bashku me presidentin Aleksandër Vucic njoftuan lojtarët se në rast fitoreje dhe kualifikimi direkt në Katar 2022 do të merrnin një bonus prej një milion eurosh. Përfaqësuesja serbe ia doli të “pushtonte” Lisbonën me shumë para në xhep./m.j