Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se paketa fiskale 2022 favorizon oligarkët dhe bizneset e tyre në kurriz të sipërmarrjes. Në një postim në rrjetet sociale ajo shprehet se qeveria po falimenton biznesin e vogël dhe favorizon koncensionarët e mëdhenj.
“Paketa fiskale 2022 është paketa më klienteliste dhe anti biznes! Qeveria është angazhuar edhe një herë për të shkruar një politikë fiskale që favorizon oligarkët dhe bizneset e tyre në kurriz të sipërmarrjes. Në Paketën Fiskale qeveria do të favorizojë përmes përjashtimit nga TVSH-ja importet e makinerive dhe pajisjeve të realizimit të kontratave, bizneset që kanë mbi 500 mln lekë duke hequr përjashtimin për biznese deri ne 50 mln lekë duke dënuar me falimentim bizneset e mesme dhe ato të vogla. Nga ky përjashtim fitojnë vetëm koncesionarët e mëdhenj të rrugëve me PPP. Kjo quhet kapje e shtetit dhe kjo quhet vendimmarrje me porosi. Kjo është vendimmarrje me standard të dyfishtë, thonë do heqim përjashtimet ndërkohë përjashtojnë vetëm të mëdhenjtë”.
Sipas Tabakut qeveria po i ul taksat oligarkisë, ndërkohë që ka vendosur akcizë për gazin e ngrohjes dhe gatimit, duke varfëruar shqiptarët.
“Më tej e njëjta mazhorancë që po i ul taksat oligarkisë dhe vetes së saj duke minuar dhe shkatërruar tregun e lirë, ka vendosur një akcizë për gazin e ngrohjes dhe gatimit. Janë mbi 80% e familjeve që gjetën shpëtimin tek gazi për ngrohje dhe gatim kur çmimi i energjisë u rrit pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama. Shqipëria 2022 do të ballafaqohet me paketën më klienteliste që është aplikuar ndonjëherë në Shqipëri. Shqiptarët që janë mbi 30% të varfër në nivelin më të ulët të varfërisë do të paguajnë”.
/b.h