Pas rreth një viti e tetë muaj nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, kur disa prej pyetjeve lidhur me Covid 19 kanë marrë përgjigje, shumë mjekë vijojnë të mbingarkojnë me ilaçe të sëmurët që trajtohen në shtëpi. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj shprehet se këtë gjë e vë re nga bisedat me pacientë që telefonojnë pranë kësaj qendre për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Përveç përshkrimit të barnave të caktuar pa qenë nevoja, doktor Brataj sheh me shqetësim dhe kohëzgjatjen e trajtimit me to.
Për Covid 19 në shtëpi aktualisht kurohen më shumë se tetë mijë persona. Ndërkohë që në katër muajt e fundit ekipet e Urgjencës Kombëtare kanë asistuar në banesë mbi 6 mijë pacientë prej të cilëve rreth 3 mijë i kanë dërguar drejt spitalit pasi paraqiteshin në gjendje më kritike./m.j