Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu thotë se pret që Gjykata e Lartë të marrë vendim të drejtë për çështjen e “Gërdecit” ndërsa paralajmëroi se në të kundër çështjen mund ta ankimojë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Sistemi ynë gjyqësor nuk është vetëm deri tek Gjykata e Lartë. Shpresoj që ta vlerësojë siç duhet atë që nuk i vlerësoi siç duhet Gjykata e Apelit. Mund të ketë arsye të tjera, por arsye për të bërë drejtësi nuk ka”, tha z. Mediu gjatë një interviste për Euronews Albania.
Ish-ministri i Mbrojtjes deklaroi se përgjegjësia e tij si ministër vinte nga vendimi i Këshillit të Ministrave. Fatmir Mediu shtoi se “ministri është autoritet civil në Forcat e Armatosura dhe ka autoritet të limitur” dhe se “një ministër nuk mund të nxjerrë dot as dhe një gjilpërë nga magazinat ushtarake”.
“Në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit dhe vendim të Këshillit të Ministrave, ministri ka marrë të gjitha iniciativat në bashkëpunim me strukturat civile dhe ushtarake për të nxjerr urdhrat e nevojshëm për të zbatuar vendimin e Këshillit të Ministrave. Strukturat ushtarake kanë pasur përgjegjësinë e tyre, siç ka pasur kompania dhe të tjera struktura të Ministrisë së Mbrojtjes”, tha z. Mediu.
Kreu i Partisë Republikane thotë se çështja e “Gërdecit” është gjykuar në të gjithë hallkat e sistemit të drejtësisë në vend dhe se nuk qëndron perceptimi se ka pasur shmangie nga drejtësia. Ai tha se janë gjykuar 23 persona ndërsa vendimin e GJKKO-së e cilësoi në shkelje të procedurës penale dhe kundër vendimit të Gjykatës së Lartë.
“Në aspektin moral e kam marrë vendimin edhe pse kam qenë tërësisht i pafajshëm në këtë çështje. Kam dhënë dorëheqjen edhe në kundërshtim me sugjerimin e partnerëve në NATO. Në Gjykatën e Lartë kam kërkuar që hetimi të vazhdohet. Nuk kam dashur asgjë që të mbulojë të vërtetën”, përfundoi z. Mediu.
Ish ministri i Mbrojtjes eshte nen akuze per vrasjen e 26 te pafajshme dhe plagosjen e mbi 30 te tjereve ne biznesin e “vdekjes” te ngritur nga djali i Berishes ne Gerdec, ndersa ka deklaruar dhe njehere se per kete biznes ka vendosur qeveria e Berishes dhe nuk eshte vendimi i tij. Duke paralajmeruar me nenkuptim, si te gjithe shqiptaret, se ne nje gjykate te huaj ata zberthehen kollaj./m.j