Naftëtarët e Ballshit do të marrin sërish pagë nga shteti edhe për 2 vitet në vijim, 2022 dhe 2023.
Këtë bëri me dije Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese.
Marrëveshja 1 vjeçare që naftëtarët kishin lidhur me qeverinë shqiptare përfundoi më 1 nëntor dhe duket se kjo është zgjidhja që ka gjetur qeveria për dy vitet e ardhshme.
Ata do të marrin 10 mijë lekë më pak krahasuar me pagën që morën deri në fund të muajit tetorit, në bazë të marrëveshjes së arritur me kryeministrin Edi Rama vitin e kaluar.
“Naftëtarët e Ballshit do të marrin përsëri pagë nga buxheti i shtetit në vitin që vjen. Të 830 naftëtarët në kushte të papunësisë pasi nuk punon rafineria e Ballshit do i kompensojë me 300 milionë lekë, paga do të jetë 30 mijë lekë. Për të gjithë naftëtarët që nuk rifillojnë punë si në rafineri apo diku tjetër, ne si ministri do të marrim përsipër edhe financimin e tyre në vitin 2023”, tha Balluku.
Pas përfundimit të marrëveshjes me qeverinë, naftëtarët u ngritën sërish në protestë para uzinës, duke kërkuar një zgjidhje. Nuk ka ende një reagim prej tyre në lidhje me njoftimin e Ballukut.
/b.h