Avokati Spartak Ngjela, foli në rubrikën “Opinion” në “News24” për debatet e brendshme politike, ndërsa u ndal edhe tek foltoret e organizuara nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Gjatë bisedës, Ngjela tha se ‘foltoret’ po organizohen për të rrëzuar Bashën, duke sqaruar se kjo nuk bëhet pa një mocion mosbesimi.
Avokati tha se kreu i PD-së Lulzim Basha tashmë ka një përkrahje amerikane.
Po ashtu theksoi se i gjithë problemi qëndron në faktin se, Sali Berisha nuk mund të kthehet dot në Partinë Demokratike sepse rrezikon aleancën me Amerikën.
Gjatë intervistës, avokat Ngjela tha se rrëzimi i kryedemokratit Basha është i vështirë, pasi sipas tij segmente të caktuara i ka emëruar vetë Basha.
“Nëse të gjithë mbështetësit e Bashës nuk shkojnë në Kuvend atëherë mbaron e gjithë loja. Gjithë vështirësia nuk është bërë për të mbrojtur Bashën, por është një sistem juridik. Pra rrëzimi i tij është shumë i vështirë sepse segmente të caktuara të tyre i ka emëruar ai. Derisa të bëjnë mocionin nuk flasim dot.
-A rrezikojmë të kemi institucione paralele?
Ngjela: Nuk ka institucione paralele. Statuti nuk pranon institucione paralele. Është person juridik Partia Demokratike. Rrëzimi i kryetarit nuk mund të fillojë pa një mocion mosbesimi 50+1. Përqindja e rrezikut që të rrëzohet Basha sipas kalkulimit tim e ka 25%. Nëse nuk mbledhin 25% firma të forumit kombëtar, nuk çelet Kongresi. Nëse firmat nuk janë me akt noterial, janë të falsifikuara atëherë kemi vepër penale.
-Si e shihni aksionin e ish-kryeministrit Berisha pavarësisht shpalljes non-grata?Mesazhet e SHBA-së duhet të ishin më të forta?
Ngjela: Ai thotë foltore. Atyre nuk ia lë sistemi individual. Nuk mund ti heqin fjalën. Këtu flitet se çfarë do të realizojnë foltoret. Duhet të kishte një investigim, por gazetaria ka heshtur…Vështirësia është tek votomi. SHBA nuk e pranojnë politikisht Sali Berishën sepse ka korrupsion dhe ka bërë vepra të tjera penale që mund të shkojnë ndërkombëtarisht, kaq dimë për këtë. Kemi edhe përjashtimin nga Basha që tha kam parë provat dhe jam tmerruar. Ne nuk i dimë provat. Tani akti administrativ i Blinken ka marrë formën e prerë. Berisha se ka ankimuar vendimin e DASH, kjo është pranim fajësie. Doli një lajm që akti administrativ që ka nxjerr Saliu non-grata ka shkuar në Kongres të votohet, deri tani është sekret shtetëror.
-Përse është i rrezikuar Berisha?
Ngjela: Sepse mund të rrisë tensionin në Shqipëri për ato që do të paraqesë në Kongres politika Amerika. Këtu nuk është vetëm PD. PD është vetëm një segment është i gjithë opinioni publik. Nuk dihet çfarë ndodh.
-Ka rrezik për arrestime?
Ngjela: Arresti është gjë e rëndë. Problemi është nëse korrupsioni do të goditet në të dy krahët apo vetëm në një krah.
Së fundmi Ngjela tha se akti që ndërmori Basha për përjashtimin e Berishës do të akumulojë hap pas hapi forcë politike.
“Unë shoh që bazën e ka të vetën…Dosja e Saliut është sekret dhe fakti që është sekret nuk mund ta diskutojë askush”, tha ndër të tjera ai.
/a.r