Analisti Skënder Minxhozi deklaron se është nevojë ulëritëse që partitë shqiptare të demokratizohen prej vërteti.
Duke folur për situatën në PD, Minxhozi tha në “Real Story” në News24 se kemi parti të mëdha që nuk kanë as data, as axhenda, as garues dhe ndërkohë që Sali Berisha flet për norma statutore fakton paraprakisht datën e Kuvendit. Ai shtoi se PD ndodhet para dy krizave.
“Këtu gjithçka po vihet në funksion të 11 dhjetorit. Është parë që të mos i lëmë shumë hapësirë xhepave. Bashkë me zgjidhjen e çështjes së drejtimit të partisë, do zgjidhen dhe këto organizatat partnere. Basha ka bërë një gabim me forumet sepse i hap një luftë. A thua se nuk i del doktori, shton dhe gratë dhe të rinjtë. Tek demokracia e brendshme është një nevojë ulëritëse që sot partitë shqiptare të demokratizohen por prej vërteti, jo në letër.
Fakti që kemi një kryetar maxhorance që nuk votohet që nga fitorja e fundit në 2013, kemi parti të mëdha që nuk kanë as data, as axhenda, as garues. Kjo është ajo që quhet partitokraci, se nuk ka brirë. Partitokraci është kulti i partisë. Unë nuk kam asnjë lloj iluzioni për figurën e Sali Berishës, ndërkohë që flet për norma statutore fakton paraprakisht datën dhe mirë që nuk ka caktuar dhe vendin.
Problemi i fitores është vetëm relativ. Mua më preokupon që partia më e madhe e opozitës ndodhet përballë dy zgjedhjeve, kam frikë se ndodhet para dy krizave. Njëra, ajo e vijimit të një opozite opake, të dobët dhe një opozite tjetër e cila duket sikur jep shpresë, që ka mbledhur pakënaqësi të madhe rreth një figure historike, por është si ajo supa e mirë me një lugë vajguri brenda.
Është një garë ku vetë personi ka hyrë për shkak të një halli personal. Nuk mbaj mend nga vetë Berisha dhe nga përkrahësit e tij, jo larg, por këtë verë, deri tek Kongresi, nuk kishim ngjarje dhe papritur kemi një krizë të madhe demokracie, lidershipi. A është artificiale apo është e natyrshme? Do ishte e natyrshme pas 25 prillit, tani është artificiale”, deklaroi Minxhozi.
/b.h