Ish-kandidati për kryetari i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli komentoi në “Debat” dhe përplasjen që ka nisur së fundmi në PD me FRPD, pasi kryetari Basha shpalli nisjen e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të forumit rinor.
Për Fatbardh Kadillin, të rinjtë e FRPD duhet ta refuzojnë me forcë këtë akt të Bashës dhe shtoi se ata duhet të qëndrojnë të pavarur dhe jo të kalojnë nga njëri padron tek tjetri, duke iu referuar në këtë mënyrë pjesëmarrjes së një pjese të madhe të të rinjve demokratë në “Foltoren” e Berishës të dielën.
“Frontet që hapi Basha në FRPD dhe LDG thjesht e thellojnë më tej krizën e partisë dhe konfirmojnë që PD drejtohet nga një kryetarokrat që I drejton strukturat si personale. Kjo nuk I shërben shëndoshjes së PD, si dhe krijimit të një forumit siç duhet të jetë. Në rastin konkret, Basha nga asgjëja krijoi një akt, i cili me të drejtë u refuzua nga të rinjtë, duhet ta refuzojnë me forcë dhe kam vetëm një sugjerim për ta që nuk kanë pse të rendin nga një padron tek tjetri. Mënyra se si u krijuan forumet tona partnere është e tillë, është një imitim i Partisë së Punës që kishte Bashkimin e Rinisë dhe Lidhjen e Gruas. Edhe ne në 91 krijuam një Lidhje Gruaje dhe një forum rinor, të cilat më pas i imitoi dhe PS”, tha Kadilli.
/b.h