I gjithë personeli i Forcave të Armatosura të Shqipërisë parashikohet të ketë një rritje page prej 30%, me buxhetin e vitit 2022.
Kjo u konfirmua nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua projektligji “Për buxhetin e vitit 2022” për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Ne kemi parashikuar rritjen prej 30% të pagës, pagesës për të gjithë personelin e FA. Është një rritje e qenësishme, historike, nëse mund ta themi kështu, sepse nuk mbahet mend që kur ka pasur një rritje kaq të madhe të pagës. Besoj që me këtë rritje, paga duke filluar nga ushtari i parë deri tek gjenerali bëhet dinjitoze, madje e krahasueshme me vende të tjera me të cilat matemi sa i përket stadit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, vendeve në rajon, në Ballkanin Perëndimor”, – tha ministri Peleshi.
Sipas ministrit të Mbrojtjes “Buxheti i MM ka një lloj veçantie, sepse ne kemi disa angazhime në NATO. Dhe kështu, sipas angazhimeve që kemi në këto struktura buxheti i MM i raportuar në NATO deri më 2024 duhet të pësojë një rritje graduale, sipas një grafiku të deklaruar, për të arritur në vitin 2024 në 2% të PBB. Sot jemi 1,47-1,48% të GPD. Me buxhetin e vitit 2022 kemi parashikuar të shkojmë në 1,75%; pra ky buxhet është 1,75 e PBB. Në 2023 do të shkojmë në 1,85% të PBB dhe në 2024-ën në 2%, duke përmbushur kështu edhe detyrimet në NATO”.
“Detyrimi në NATO në raport në buxhetin nuk ka vetëm një shifër, nuk ka vetëm 2% ka edhe një shifër tjetër, që do të thotë: 20% e këtij buxheti duhet të përdoret për investime. Sa i përket kësaj shifrës së dytë, ne e kemi kapur. Që në vitin 2021 përqindja e buxhetit të alokuar për investime është 20,46%. Në 22 shkon 31,38%. Pastaj 29% pastaj sërish 31,26%. Pra 50% me tepër se sa është kërkesa edhe detyrimi i raportuar në NATO.” – theksoi z.Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes u shpreh se janë nëntë drejtime kryesore, ku është fokusuar detajimi i Buxhetit 2022:
1. Mbështetja për personelin;
2. Modernizimi dhe Infrastruktura;
3. Arsimimi dhe kualifikimi;
4. Gatishmëria dhe mirëmbajtja;
5. Stërvitjet;
6. Strukturat dhe angazhimet ndërkombëtare;
7. Mbështetja me mallra e shërbime dhe mbështetja administrative;
8. Mbrojtja Civile;
9. Operacionet brenda dhe jashtë vendit.
Z. Peleshi u shpreh se “projekti më i rëndësishëm në kuadër të infrastrukturës sonë është ndërtimi i Bazës Taktike të Kuçovës, që do të jetë një bazë taktike e NATO-s, investimi kryesor, realizohet nga fondet e NATO, tashmë të prokuruar nga Agjencia e Prokurimit të NATO-s në masën 40 milion euro. Së shpejti nisin punimet. Janë përzgjedhur nga NATO kontraktorët, ne na duhet të bëjmë, pra është detyrimi ynë të bëjmë një pjesë të punimeve, pra diçka më shumë se 10% përballohet nga buxheti ynë. Kemi gati projektin. Është parashikuar buxheti si e thashë edhe pak më lartë. Jemi në prag të fillimit të punës për ndërtimin e perimetrit të sigurisë. Si dhe punime të tjera si shpronësimet që janë detyrimi i Shqipërisë në këtë projekt.”
Një tjetër investim për të cilin ësshtë menduar në buxhetin e vitit 2022 është edhe Akademia e FA. “Edukimi ushtarak është tani një prioritet për ne. Keni dëgjuar për Akademinë e FA dhe për përpjekjet për të ndërtuar partneritete të rëndësishme me Akademi të mirënjohura siç është Akademia Ushtarake e West Point-it në SHBA. Kemi zhvilluar një vizitë shumë të suksesshme me kryeministrin e vendit Rama dhe synojmë që të rimodelojmë Akademinë tonë sipas modelit të West Point-it”, – tha Peleshi.
Në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar edhe mbi 20 milionë dollarë, ose 2,1 miliardë Lek për Emergjencat Civile, i cili do të ndahet në 1,1 miliardë si transfertë e kushtëzuar për bashkitë, sipas peshës specifike që buxheti i çdo bashkie ka në totalin e buxhetit vendor. Ndërkohë fondi prej 800 milionë lekësh për investimet në fushën e Mbrojtjes dhe parandalimit të emergjencave civile, i cili do të transferohet tek bashkitë për projekte, që do të seleksionohen nga një komitet që do të ngrihet dhe do të bëjë përzgjedhjen e propozimeve nga njësitë vendore.
Ministri i Mbrojtjes konfirmoi se pjesëmarrjen e misioneve të FA në kuadër të operacioneve të NATO-s, duke rritur nivelin e angazhimit të FA, në operacionet e Aleancës në Kosovë apo në operacionet e BE-së në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mali, OKB-së në Sudanin Jugor si dhe pjesëmarrjen në misionet e iniciativat e reja që NATO mund të ndërmarrë në Irak.
/b.h