Tre anëtarë të Kongresit të SHBA kanë mbërritur në Tiranë. Lajmin e ka bërë me dije ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila ka paralajmëruar takime të rëndësishme për nesër me udhëheqësit e politikës shqiptare.
Kim thotë se Elissa Slotkin, David Valadao dhe Jake LaTurner janë në Tiranë për takime të rëndësishme, megjithatë nënvizon se më shumë detaje do të japin nesër.
“Kënaqësi e madhe të mirëpres anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara Elissa Slotkin, David Valadao dhe Jake LaTurner në Tiranë për diskutime të rëndësishme me udhëheqësit shqiptarë. Na ndiqni nesër për më shumë detaje!”, ka thënë Kim, siç bën me dije ambasada e SHBA përmes një postimi në rrjete sociale.
Kujtojmë se më 14 tetor një delegacion nga Senati Amerikan, të cilët i shoqëronte ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim mbërritën në selinë blu. Kjo ishte vizita e parë e një delegacioni amerikan me Bashën në selinë blu që pas përjashtmit nga grupi parlamentar i Sali Berishës, me kërkesë të SHBA.
Nuk dihet itinerari i kongresmenëve dhe se cilët politikanë do takojnë. Mbetet që të shohim nesër çfarë do ndodhë./m.j