Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha do të takojë paraditen e sotme grupin e punës për procesin e FRPD. Siç mëson abcnews takimi do të nisë në orën 11:00.
Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga: Oriela Nebiaj, Hergert Alimerko, Dario Sejdini, Enkelejda Rica, Juela Hamati dhe Anita Doçi.
Shpallja e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka agravuar edhe më shumë situatën në selinë blu. Kreu aktual i FRPD, Belind Këlliçi doli kundër vendimit të Bashës, duke e cilësuar atë si nul.
Zgjedhjet në këtë forum vijnë dy vite pas mbarimit të mandatit të Këlliçit. Basha udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.
Vendimi i kryedemokratit Basha për të shpallur zgjedhjet për drejtimin e Forumit Rinor të PD erdhi 48 orë përpara se Sali Berisha të zhvillojë një takim me të rinjtë e kësaj strukture të PD.
g.kosovari