Klubi spanjoll Real Madrid publikoi një video ku shpjegon funksionalitetet e stadiumit të rikonstruktuar Santiago Bernabeu që do t’i sjellë Klubit Mbretëror të ardhura vjetore prej të paktën 150 milionë euro.
Videoja tregon një sistem mbresëlënës që mund t’i çojë pjesët e fushës poshtë, e gjitha me synimin për të ruajtur barin në momentet kur Bernabeu do të shndërrohet në një sallë shumëfunksionale për koncerte, fusha tenisi dhe ndeshje basketbolli.
Në vend të fushës do të mbetej vetëm bari artificial, në të cilin do të montohet terreni sipas nevojës.
Ajo që theksojnë veçanërisht mediat spanjolle është se kjo sallë mund të përdoret njëkohësisht për ndeshje basketbolli dhe tenisi, si dhe për koncerte.
Stadiumi i ri i Real Madridit pritet të marrë primatin si lokacioni më tërheqës turistik në kryeqytetin spanjoll dhe thuhet se punimet mund të përfundojnë në fund të vitit 2022.
Synimi është që stadiumi i ri të hapet më 14 dhjetor të vitit të ardhshëm.