Shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit kanë zbuluar një gjen, që dyfishon rrezikun e dështimit të mushkërive dhe vdekjes nga koronavirusi.
Sipas tyre, 60% e njerëzve me prejardhje nga Azia Jugore dhe 15% e njerëzve me prejardhje evropiane kanë versionin me rrezikshmëri të lartë të gjenit.
Vaksinat janë kyçe dhe ndihmojnë në reduktimin e ndjeshëm të këtyre rreziqeve, thanë studiuesit, që e botuan gjetjen e tyre në revistën shkencore Nature Genetics, shkruan noa.al.
Duke u bazuar në punën e mëparshme gjenetike, studiuesit përdorën një kombinim të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së re molekulare, për të identifikuar gjenin e saktë – të quajtur LZTFL1 – i cili është përgjegjës për rreziqet në rritje.
Sipas tyre, versioni i rrezikshëm i gjenit është i pranishëm në rreth 2% të njerëzve me prejardhje afrikane dhe 1.8% të njerëzve me origjinë nga Azia Lindore.
Studiuesi kryesor, profesori James Davies, tha se zbulimi se gjeni i rrezikshëm nuk i prek të gjitha popullatat në mënyrë të barabartë, është shumë i rëndësishëm.
Sipas tij, një përzierje komplekse faktorësh – përfshirë moshën në veçanti – kontribuon në rrezikun individual të secilit person.
“Edhe pse ne nuk mund ta ndryshojmë gjenetikën tonë, rezultatet tona tregojnë se njerëzit me gjenin me rrezik më të lartë, ka të ngjarë të përfitojnë nga vaksinimi”, tha Davies.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 248 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 5 milionë kanë vdekur.
Në të gjithë botën, deri më tani janë dhënë mbi 7 miliardë vaksina.
/b.h