Për shkak të vonesave të fluturimeve dhe zhurmës së madhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, mes pasagjerëve dhe agjencive për fluturime janë shkaktuar acarime të shumta. Frekuentimi masiv në aeroportin e Prishtinës në këtë kohë ndodh edhe për shkak të sezonit festiv, kohë kur bashkatdhetarët nga diaspora vizitojnë Kosovën gjatë festës së Vitit të Ri. Sipas reporterit të KosovaPress-it, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes, shumë pasagjerë janë ankuar se janë detyruar të paguajnë bileta për të dytën herë për t’u kthyer në vendet tyre të punës. Në mesin e pasagjerëve ka edhe shtetas zviceranë. E kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara, tha se vonesa në fluturime ka vetëm në një linjë fluturimi. “Është vonesë normale, në ora 17:40 është dashur të niset, ndërsa fluturimi po realizohet në ora 19:40. Vonesa prej dy orëve është shkaktuar nga kompania përkatëse ajrore”, tha ajo.