Kur po mbushen plot shtatë vite nga zhdukja e mistershme e Enver Stafukës, vëllai i tij Naimi vendos të thyejë heshtjen dhe të flasë për emisionin “Në shënjestër”, në News24 në lidhje me dyshimet që familja ka për rrëmbimin.
Dëshmia e tij vjen pak ditë pasi Policia e Shtetit ka vendosur të rihapë hetimin për zhdukjen e babait të 4 fëmijëve. Naim Stafuka thotë se dyshon se në zhdukjen e të vëllait është i implikuar Durim Bami, ky i fundit i njohur si i forti i Niklës.
Z. Stafuka a mund të na rrëfeni për mbrëmjen e rrëmbimit të vëllait tuaj Enverit?
Po, mund t’ju rrëfehem. Në datën 8 shkurt të 2015, u ula poshtë shtëpisë për të parë një ndeshje futbolli edhe aty me thërret kamerieri, më thotë hajde pak. Shkova aty dhe më tha që para një ore të ka marrë policia vëllain, Enverin sapo ka dalë nga lokali. I thashë përse nuk më kishte njoftuar. Më tha se nuk i dha shumë rëndësi sepse ashtu e kishte menduar ai. I thashë ku e dërguan, me tha kanë ikur këtej poshtë në krahun e Durrësit, në rrugën e Durrësit. Kështu i themi ne këtej. E kanë marrë me një golf gri, me kapuç, me logo policie, po poshtë më tha ishin me rroba civile, jo me rroba policie, vetëm më xhupa të shkruar “Policia”. Sapo ka dalë nga lokali e kanë ndaluar aty kundrejt armës dhe e kanë lidhur, sipas videove që edhe janë shfaqur. E kanë futur në makinë me zor, pastaj e kanë dërguar në drejtim të Durrësit.
Çfarë veprimesh bëtë pas këtij momenti që iu informoi kamerieri?
Menjëherë shkova në polici dhe pyeta oficerin e rojës që ishte aty duke i thënë ka marrë policia Enverin, këtu është? Më tha jo, s’di gjë. I thashë të pyeste ndonjë. Doli shefi i rajonit, e takova dhe ia tregova. Më tha që s’kishin urdhër arresti për atë. Po pyes këtu në Krujë nuk është më tha, as në Fushë-Krujë, pyetëm të gjithë komisariatet e Shqipërisë. Vazhdoi orë pas ore, pyeti shefin e gjithë komisariateve dhe nuk ishte në asnjë vend. Në orën 10-11 e gjysmë pasi pyetëm gjithë komisariatet atëherë shkova bëra denoncim për rrëmbimin e vëllait. Pastaj dola në kërkim.
Mund të më thoni me kë ishte i shoqëruar momentet e fundit para se të rrëmbehej?
Enveri ka qenë në kafen poshtë shtëpisë time. Ka ardhur aty me Durim Bamin, Gentjan Bejtjan, Ramazan Rrajën. Janë futur në kafe, aty kanë nejt njëfarë kohe, 20 minuta a 30 minuta, nuk e kam idenë fiks, por di se në orën 8 afërsisht është rrëmbyer. Dikush e ka marrë në telefon, i ka thënë do vish për të më takuar, ka qenë në Kameras të Krujës, një njeri që quhet Ervis Alla, kjo sipas dëshmitarëve që kanë qenë në tavolinë. Aty ka dalë me shku te ky Ervisi, aty e kanë pritur rrëmbyesit.
Ervisi pse e telefonoi? Përse do ta takonte?
‘Kisha për t’i dhënë 200 mijë lekë të vjetra’ u kishte thënë, me këtë arsye ishte çuar Enveri. Këtë nuk e di, nëse e ka marrë ai në telefon, apo Enveri atë, për këtë nuk jam i sigurt.
Pasi bëtë denoncimin, a i takuat personat e fundit që ishin në kafe me të? A i pyetet se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë ju thanë ato?
I kam taku fill nga ora 10. Kam marrë në telefon Durimin dhe i kam thënë policia pse e ka marrë Enverin. Nuk di gjë më tha. I thashë ku ta gjejmë se nuk është në asnjë vend. Se di më tha, e shohim nesër. Pak më vonë takoj vëllain e vet Valterin, po vinte me një fuoristradë, unë isha me çunin tim të vogël, isha në këmbë, po prisja. E pyeta përse e kishte marrë policia Enverin, më tha që nuk dinte gjë. Gjatë natës kam marr pronarin e dyqanit që është në kat të parë, D.Kanin që ka kamera, ka qenë ora 2 e natës. Ka ardhur ai nga Kruja, unë bashkë me shefin e rajonit dhe një oficer policie kemi hapur kamerat pastaj kemi parë videon e rrëmbimit që aty dyshova se nuk ishte policia. Ato ishin disa persona që ishin vesh me uniformë policie. Aty e vendosa që Enverin nuk e kishte marrë policia. E kishin marrë persona civilë. Në mëngjes erdhi dhe Durimi tek kamerat.
Ju tek kush dyshoni?
Ne dyshojmë tek të gjithë grupi që ka qenë me të kanë dijeni.
A i keni pyetur?
I kemi pyetur
Çfarë iu thonë?
Nuk dimë gjë na thonë, nuk e kanë marrë mundimin për ta gjetur.
Kur është hera fundit që keni pyetur policinë për këtë çështje?
Hera e fundit është para dy javëve, herën e fundit që më ka thirr policia ka qenë tetor 2021.
Për çfarë ishte e interesuar policia?
Donin informacione, ku dyshoja, na thuaj emrat konkrete. Unë nuk e kam parë vetë duke e marrë, s’kam se si cilësoj njerëzit pa fakte. Tani përderisa ka qenë me shokët e vet, dyshimet aty bien, janë në dijeni, po se kush kanë qenë personat që e kanë rrëmbyer se di.
Naim çfarë mendoni, jeton Enveri?
Nuk kemi shpresa, është një ëndërr që mund ta mendosh.
Pra dyshoni se e kanë vrarë?
Kështu them.
Po për cilat arsye?
Këtë nuk e di, ai nuk ka pasur ndonjë shqetësim, si për shembull ndonjë ngatërresë me ndonjë. Madje një natë përpara ka qenë në një lokal për qefin e tij. Të ishte ashtu që kishte frikë me ik diku nuk dilte nga shtëpia.
Është folur shumë në media të ndryshme për një video që vëllai juaj është torturuar nga rrëmbyesit. A keni dëgjuar ju për një gjë të tillë?
E kam dëgjuar nëpër media që qarkullon një video, tjetër gjë nuk di.
Ju çfarë kërkoni nga drejtësia?
Ne kërkojmë nga organet shtetërore, ligjzbatuese se sido të jetë e vërteta e vëllait tim, shteti duhet ta zbardhë të vërtetën sido të jetë.
Është përfolur se Enver Stafuka ishte i përfshirë në ngjarje kriminale. A keni biseduar ndonjëherë me të dhe a kishit informacion për aktivitetin e vëllait tuaj?
Jo, nuk ka diskutuar ndonjëherë në këto rrethana me mua, por të gjitha këto gjëra i kemi marrë vesh pas rrëmbimit, të gjitha këto akuza vëllait tim iu kanë bërë pas rrëmbimit.
Pas rrëmbimit të Enverit a keni pasur sinjalizime nga persona të njohur apo të panjohur që mund të kishin dijeni për fatin e tij, apo informacione si dhe ku mund të ishte ai?
Kanë dhënë ndihmesa të rreme, e ka bërë ky, e ka bërë ai. Konkretisht asgjë nuk ka dalë në dritë. Deri tani nuk ka asnjë rezultat
Po ju jeni kërcënuar pas kësaj ngjarjeje?
Jemi kërcënuar me maska, mua personalisht më kanë kërcënuar.
Mund të na tregosh më gjatë?
Nuk kam njohur njeri.
Si ka ndodhur?
Kam qenë duke ecur me makinë, më kanë ndaluar me maskë, më kanë thënë: “Po fole më, do të të çojmë tek vëllai yt”.
Po ju do ta kërkoni drejtësinë?
Patjetër, deri kur të kem frymën gjallë dhe nuk kam pse të kem as frikë as asgjë.
Pavarësisht ndaj dyshimeve dhe akuzave që ngrihen ndaj vëllait tuaj ju keni vendosur të shkoni drejt drejtësisë?
Patjetër, për këtë jam shumë këmbëngulës, për ta kërkuar sido të jetë, më çfarëdo lloj fature. Të kemi mundësinë sit ë gjithë të tjerët t’i hedhim një grusht dhe, pastaj faturat t’i mbajë ai që i ka shkruar.