Dy liqene, të cilët shtrihen në pjesën lindore të qytetit të Belshit, janë kthyer në një vatër të madhe infeksioni për banorët e kësaj zone.
Në këto liqene derdhen ujërat e zeza të Belshit, ujërat dhe papastërtitë e thertoreve dhe të gjitha mbeturinat e mundshme urbane.
Kjo situatë, e cila vazhdon prej vitesh, e ka bërë të pamundur jetesën për banorët e këtyre zonave. Ata shprehen se, verë apo dimër qoftë, këtu mbizotëron era e keqe dhe ajri i ndotur.
Banorët shprehen gjithashtu se, me këtë ujë vadisin tokat bujqësore, duke bërë që infeksioni të përhapet edhe më tej. Me shqetësimin e tyre është bashkuar kryetari i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani, i cili ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për këtë katastrofë mjedisore.
Edhe pse jo në të tillë gjendje, si dy të mësipërmit, të gjitha liqenet e Belshit janë kthyer në vatra ndotjeje dhe jo në atraksione turistike, ashtu siç duhet të ishin.
Disa javë më parë, Top Channel paraqiti gjendjen skandaloze të “Gjolit të Gjatë”, ku një fabrikë e prodhimit të vajit të ullirit derdhi mbetjet e saj, duke shkaktuar ngordhjen e të gjithë peshkut.
/ Top Channel