Kryeministri, Albin Kurti, në një intervistë për BBC, ka deklaruar se nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës, pavarësisht nëse do të jetë në opozitë apo në pushtet.
“Duan ta përsërisin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë, pavarësisht nëse jam në opozitë apo qeveri. Për këtë më votuan njerëzit, të parandaloj bosnjëzimin e Kosovës. Jam i bindur se me programin tonë, do të ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse pyesni serbët në Kosovë se cilat janë shqetësimet e tyre kryesore, ata thonë punësimi dhe drejtësia. Beogradi dëshiron të ketë shtet brenda një shteti. Shtetin e Serbisë brenda Kosovës së pavarur”, tha Kurti për BBC.
“Kur nuk u zbatua Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, asnjë serb nuk protestoi kurrë. Në vitin 1991, më 26 prill, 14 komunat me shumicë serbe në Bosnje u bashkuan me asociacionin e tyre, më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992 morën kushtetutën e tyre dhe më në fund 14 dhjetor 1995 në Dejton (qytet në Ohio të SHBA), morën njohjen ndërkombëtare e tyre. Ata duan ta përsëriain Bosnjën në Kosovë. Dhe nuk do ta lejoj këtë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi nuk është në prioritetet e tij, megjithatë nuk duhet të neglizhohet për normalizimin e marrëdhënieve. Kryeministri i Kosovës, tregoi gjatë intervistës se qeveria po fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e ligjit dhe pandeminë, duke shtuar se dialogu mes dy vendeve është i 4-ti në listë.
“Ne fituam zgjedhjet e 14 shkurtit me një fitore të favorshme me prioritet për pune. Nuk dua të neglizhoj normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por zhvillimi ekonomik në një anë dhe sundimi i ligjit në anën tjetër, gjithashtu dhe pandemia, do të thotë se dialogu me Serbinë është në vendin e katërt në agjendën tonë të shtet-ndërtimit demokratik për republikën tonë të pavarur”, ka thënë Kurti.
Duke folur për Bashkimin Evropian, ai tha se nuk është e drejtë që për popullin e Kosovës nuk është bërë liberalizimin i vizave, duke thënë se ky është faji i disa vendeve anëtare dhe jo i BE në tërësi.
“Bashkimi Evropian na ka ndihmuar shumë në të gjitha aspektet dhe duamë që një ditë të behemi pjesë e BE. Nuk është e drejtë që ne nuk kemi akoma liberalizimin e vizave. Në korrik të këtij viti u bënë tre vjet që kur Komisioni Evropian për të dytën herë ka rekomanduar që të liberalizohen vizat për popullin tonë. Kjo nuk është për shkak të Bashkimit Evropian, por për shkak të disa shteteve anëtare. Megjithatë mungesa e besimit në 6 vendet e Ballkanit perëndimor nga ana e BE ka të bëjë edhe me vetëbesimin e BE. Unë mendoj që Europa është kontinenti ynë dhe BE destinacioni.”, tha ai.
g.kosovari