dihmës regjisori, i cili i dha Alec Baldwin një armë me një plumb të vërtetë, ka folur për herë të parë publikisht për xhirimet e filmit Rust, ku u vra drejtoresha e fotografisë, Halina Hutchins.
Në një deklaratë për New York Post, Dave Halls nuk dha detaje mbi incidentin në New Mexico muajin e kaluar, por tha se ishte “i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar” nga vdekja e Hutchins.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Halls i tha Baldwin-it se arma ishte e sigurt kur ia dorëzoi gjatë provave. Thuhet se Halls gjithashtu u tha hetuesve se ai nuk e kontrolloi plotësisht armën përpara se t’ia jepte aktorit. Rezultoi se arma kishte një plumb të vërtetë, i cili goditi Hutchins në gjoks dhe regjisorin Joel Souza, i cili qëndronte pas saj, në shpatull.
“Halina Hutchins nuk ishte vetëm një nga njerëzit më të talentuar me të cilët kam punuar, por edhe një shoqe”, tha Halls. “Jam i tronditur dhe i pikëlluar nga vdekja e saj. Shpresoj se kjo tragjedi do ta shtyjë industrinë të rivlerësojë vlerat dhe praktikat e saj për të siguruar që askush të mos lëndohet përsëri përmes procesit krijues”, shtoi ai.
Autoritetet e qarkut Santa Fe po hetojnë incidentin dhe prokurori përgjegjës për çështjen nuk e ka përjashtuar ndjekjen penale. Në raport, thuhet se tre persona e përdorën armën përpara të shtënave, Baldwin, Halls dhe 24-vjeçarja Hannah Gutierrez-Reed.
/b.h