Pasi Zoran Zaev dha dorëheqjen për shkak të disfatës në zgjedhjet lokale, në opinion po spekulohet se kush mund ta zëvendësojë në qeveri dhe kush në parti.
Qeveria përmend disa emra në qeveri si pasardhës të mundshëm, duke përfshirë ministrin e Brendshëm Oliver Spasovski, ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyçi.
Fitorja e Maksim Dimitrievskit, i cili si kandidat i pavarur ishte kundërshtar i kandidatit të LSDM-së në Kumanovë, konsiderohet si disfatë jo vetëm e kundërshtarit të tij Oliver Ilievski, por edhe e Oliver Spasovskit, gjë që i zvogëlon dukshëm shanset e tij, shkruan Veçer i Shkupit.
Portali i gazetës së Shkupit shkruan se pas zjarrit në qendrën e COVID-it në Tetovë, ku u dogjën 14 persona, rejtingu dhe besueshmëria e Venko Filipçe, papritur ra, gjë që dobëson pozitën e tij si pasardhës i mundshëm i Zaevit.
Zgjedhja e Bytyçit, i cili është pjesë e lidershipit të lartë partiak të LSDM-së, do të reflektonte, thonë ata, multietnicitetin e partisë, por atij i mungon përvoja e gjatë dhe lidhjet e forta me strukturën partiake.
Veçer i përmend Sanja Lukarevskën dhe zëvendëskryeministrin Ljupço Nikolovski si zgjidhjen e fundit të mundshme për postin e kryeministrit.
Partia, thonë ata, është e kënaqur me punën që ka kryer Lukarevska si drejtoreshë e Drejtorisë së të hyrave publike, por pyetja është nëse kjo do të ishte më mirë për pozitën udhëheqëse në Qeveri apo për postin e kryeministrit.
Nikolovski, shtojnë ata, suksesin më të madh në parti e ka arritur me ardhjen e Zaevit në krye të LSDM-së, kur u bë shef i kabinetit dhe njeri me besim të madh, ndaj vlerësohet se shanset e tij janë mjaft solide./m.j