Një aksident i rëndë, i mori jetën 45-vjeçarit Durim Lushaj pranë rrethrrotullimit, në hyrje të qytetit të Koplikut. Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve mbetën të plagosur dhe dy persona të tjerë. Fillimisht 3 të lënduarit u dërguan në spitalin e Shkodrës për ndihmë mjekësore, po 45-vjeçari Lushaj, nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.
Siç shihet, makina tip Benz ka goditur nga pas makinën tip Volksvagen, në të cilën udhëtonte dhe viktima. Nga ekspertiza paraprake ka dyshime se makina që udhëtonte viktima si pasagjer ka kryer parakalim dhe ka tentuar të futet sërish në korsi, ku dhe është goditur nga pas nga Benz-i.
Pas përplasjes Benz-i që drejtohej nga një 20-vjeçar u ndalua disa metra më pas, ndërsa makina Golf 4 u përplas me tabelën që tregon sinjalistikën rrugore.
45-vjeçari është viktima e katërt nga aksident përgjatë 24 orëve të fundit. Në vetëm pak orë në rrugët e vendit u shënuan edhe shënuan edhe 7 aksidente të tjera, ku për pasojë humbën jetën 3 qytetarë dhe u plagosën 11 të tjerë. Në aksin Tepelenë-Gjirokastër, mbeti viktimë 33-vjeçari Leons Imeri, i cili humbi kontrollin e makinës dhe doli nga rruga.
Në aksin Qafë-Thanë-Librazhd ndërroi jetë 60-vjeçari, Qani Beqo shofer i një furgoni, pasi u përplas me një minibus. Ndërkohë nga një tjetër aksident në aksin Fushë-Krujë-Tapizë, humbi jetën dhe këmbësori identifikuar si Isuf Mjekra. Ai u përplas për vdekje nga një automjet ende i paidentifikuar.
/a.r