Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri i cili do të jetë edhe bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore ka takuar ditën e sotme ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco. Numri dy i PS-së shprehet në një postim në Facebook, se i kërkoi ambasadorit mbështetje për të ndihmuar procesin e reformës, me ekspertizën e specializuar të ODIHR-it.
“Me kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z.Vincenzo Del Monaco, diskutuam mbi procesin e pritshëm të Reformës Zgjedhore. Theksova gatishmërinë e Partisë Socialiste për të filluar sa më shpejt punën, me synim adresimin e plotë të të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it.
Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme mes mazhorancës dhe opozitës, Parlamenti ka një historik të pasur të frymës së dialogut dhe bashkëpunimit përsa i takon Reformës Zgjedhore. Kërkova mbështetjen e OSBE për të ndihmuar procesin e reformës, me ekspertizën e specializuar të ODIHR-it” shkruan ai.
Por cfarë kërkon PD?
Demokratët pretendojnë që përmes këtij komisioni të zhbëjnë ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut 2020, ku edhe u hoqën koalicionet parazgjedhore. Në krye të një grupi pune të ngritur prej disa javësh në Partinë Demokratike është nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj.
Hera e fundit që demokratët ishin pjesë e një Komisioni për Reformën Zgjedhore ishte viti 2018. Pas djegies së mandateve Komisioni vazhdoi pa prezencën e PD, teksa u krijua një strukturë jashtë parlamentare që u quajt Këshilli Politik, i cili prodhoi edhe marrëveshjen e 5 qershorit nën prezencën e ndërkombëtarëve./m.j