Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kryebashkiakët për analizën e performancës së sektorit ujësjellës – kanalizimeve. Rama u tregua i drejtpërdrejtë dhe tha se qeveria rrit investimet ndërsa pushteti lokal rrit humbjet.
“Kam një tabelë për investimet e bëra nga qeveria shqiptare, nga viti 2014 dhe njëkohësisht edhe të vendosura aktualisht deri në vitin 2013 ku hyjnë fondet e buxhetit të shteti, hyjnë edhe fondet e akorduara nga partnerët, të cilat ju kujtoj, janë kredi që duhen paguar. Shuma që qeveria shqiptare me këto dy burime ka vënë në dispozicion të transformimit rrënjësor të shërbimit të ujit është mbi 1 miliard euro. Që të jemi saktë për “mbinë” ajo është faktikisht 1 mld e afro 200 milionë euro. Kam 3 pyetje për ju:
A jeni ju në dijeni të performancës së ujësjellës kanalizimeve në bashkinë tuaj, të shërbimit t që drejtoritë e ndërmarrjeve të ujësjellësve ofrojnë për qytetarët.
I keni parë ndonjëherë raportet që pastaj ia jepni qeverisë si vetëdeklarime për performancën? E keni parë ndonjëherë që është përtej çdo lloj logjike, jo standardi?
Sa fonde keni alokuar ju nga buxheti i bashkisë për furnizimin me ujë?
Këto janë pyetje retorike të gjitha se faktet flasin vetë dhe fakti i fundit që ishte si pika ka përmbysur këtë kupë është fakti që ne rrisim investimet ju rrisni humbjet. Pastaj janë qytetarët që me të drejtë ankohen. Sepse rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve. Kjo duhet të përputhet me një ulje të humbjeve dhe një sens përgjegjësie për atë gropë që i është hapur m’u në zemër këtij shteti nga keqadministrimi i ujit për 30 vjet, e cila nuk mbyllet dot menjëherë, por e cila në nivelin e administrimit të pushtetit vendor nuk po jep shenjat që të mos zgjerohet.
Po marr kampionin, Bashkinë e Vlorës. 78.9% humbje. Çfarë do me thënë kjo. 78.9% humbje. Dmth një kompani e falimentuar si një piramidë që vazhdon merr para nga shteti dhe si një lapidar abuzimi me faktin që uji është jetik dhe nuk është një mall që mund të trajtohet si çdo mall tjetër. Si mund të vazhdojë kështu kjo histori. Si mundet këta drejtorë ujësjellësash të jenë në punë akoma dhe si mundet që numri i të punësuarve në ujësjellësat e Shqipërisë është sa një armatë e ndonjë shteti që është 10 herë më i madh se Shqipëria.
Nuk do të lejojmë më që paratë e shqiptarëve të abuzohen nga keqqeverisja ekstreme e këtij sektori dhe nga vijimësia e inercisë së shpërdorimit të të ardhurave. E para, duke paguar si punonjës ujësjellësash njerëz që nuk kanë lidhje fare me profilin. Deri edhe njerëz që nuk janë fare në Shqipëri dhe rezultojnë në librat e pagave të ndërmarrjeve, prej vitesh e vitesh. Duke pasur këtë lloj formacioni gjeologjik, shtresa e burimeve njerëzore, kjo përkthehet në mosprerje të shërbimit për debitorë dhe në rezultate të paimagjinueshme arkëtimi. Siç është në këtë aspekt kampione Bashkia Kavajë, 31% arkëtim. ndërkohë që ka edhe këtu diferenca. Edhe më të mirët prapë janë në pozitë shumë të disfavorshme. Këtu është një problem administrimi dhe keqqeverisje. Është kronike. Është një sëmundje kronike dhe nuk mund të rrimë duarkryq dhe të mos ndërhyjmë”, tha Rama.
/a.r