Ministria e Arsimit ka reaguar në lidhje me skandalin, ku lagjja e të pasurve në periferi të Tiranës, iu paraqit fëmijëve në librin e historisë së klasës së katër si modeli i fshatit shqiptar. Ministrja Evis Kushi ka zhvilluar një takim me drejtuesit e rrjeteve profesionale, duke bërë me dije se do të ketë rishikim të teksteve shkollore.
“Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesionale, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar. Para pak vitesh ne kemi realizuar një reformë të thellë, duke u dhënë mundësi nxënësve tanë që të mësojnë me tekste më cilësore, por puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor”, tha ministrja.
Në materialin e ofruar në librin e Historisë, realiteti i fshatrave shqiptarë përshkruhet jashtë çdo realiteti të periferisë së vendit. Ilustrimi krejtësisht i gabuar shkaktoi jo pak zemërim te qytetarët.
“Pothuaj të gjithë shtëpitë e fshatit janë bërë të reja. Rruga automobilistike të çon drejt e në qendër të fshatit. Me rrugë të aslfaltuara, ai lidhet jo vetëm me qytetin, por edhe me fshatrat të tjera“, thuhet në përshkrimin e tekstit të Historisë së klasës së katërt”, shkruhet në tekst, një përshkrim i fshatrave që shkon shumë larg realitetit.
g.kosovari