Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, nga agjencitë e zbatimit të ligjit, gjatë 9 muajve të këtij viti janë sekuestruar mbi 18 milionë Euro asete kriminale.
Të dhënat u bënë të ditura nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Elena Pici gjatë takimit vjetor të rrjetit ballkanik të agjencive të aseteve të sekuestruara.
Gjatë takimit u evidentua përdorimi i pasurive kriminale të sekuestruara të vënë në dispozicion për qytetarët.
Rrjeti ballkanik i agjencive të aseteve të sekuestruara është themeluar nga Shqipëria, ku pjesë e nismës janë 8 vende të rajonit, përfshirë dhe Kosovën.
Kjo nismë mbështetet nga ndërkombëtarët me buxhet 2.5 milionë Euro, dhe parashikohet të mbyllet në mesin e vitit 2022.
Sipas Ministrisë së Brendshme, synohet përmirësimi i bashkëpunimit rajonal në kapjen, konfiskimin, menaxhimin dhe ripërdorimin e aseteve të ngritura në rrugë kriminale.
/a.r