Nga Aranit Muraçi
Të shumtë janë ata që kanë besuar dhe besojnë pa e kuptuar nëse janë “të djathtë” ose “të majtë”. Të tilla paqartësi dhe sidoemos zhgënjimet e njerëzve i shfrytëzojnë sidomos në momente krizash lëvizjet politike ekstremiste, ashtu siç ndodh kudo në Europë dhe në botë.
Nisur nga situata e fundit kaotike apo traumatike që ka përfshirë opozitën shqiptare pasi humbi për herë të tretë radhazi zgjedhjet parlamentare dhe nga ngutja e nevojës së një rithemelimi të mundshëm prej saj, është po aq e nevojshme për të kuptuar lëvizjet e fundit, ndasitë ideologjike, historia, retorika e përdorur, përfaqësuesit e tyre si dhe krahasimi me kundërshtarët.
E djathta shqiptare ndodhet në një udhëkryq, e ndarë nga njëra ana mes përkrahësve të liderit historik Sali Berisha, të cilët duan të ndjekin rrugën e rithemelimit përmes thellimit të radikalizmit të saj (e kaluara konfliktuale, shpallja e kandidaturës për t’u rikthyer në krye të PD-së nga Kavaja, kërcënimi për protesta të ashpra politike), si dhe nga ana tjetër, të kryetarit Lulzim Basha, i cili pas vendimit për t’u shkëputur nga e kaluara, synon edhe me mbështetjen ndërkombëtare për reformimin dhe liberalizimin e nevojshëm të saj, si e vetmja zgjidhje për të shpëtuar partinë kryesore opozitare nga kolapsi i mundshëm.
Se cila do të jetë e ardhmja e secilit, kjo nuk do të varet nga elektorati i djathtë, por ndoshta më tepër nga mbështetja e faktorit ndërkombëtar. Për të kuptuar më mirë se cila do të jetë e ardhmja dhe rruga që do të përqafojë e djathta në vendin tonë, një linjë më ekstremiste apo të moderuar, si dhe të ardhmen që do të ketë përmes rolit të saj Shqipëria në BE, duhet analizuar ecuria e së djathtës evropiane dhe lëvizjeve të tjera ekstremiste gjatë viteve të fundit në Europë.
Fati i forcave të djathta me prirje radikale në dy vendet fqinje me Shqipërinë, pavarësisht ndonjë suksesi momental, nuk duket aq premtues për çdo adhurues të radikalizmit në Shqipëri. Më pak premtues shihet sidomos për ata politikanë, të cilët besojnë se përmes radikalizmit do të mund të arrijnë qëllimin e tyre pavarësisht se janë të shpallur të padëshiruar prej Perëndimit.
Megjithatë e ardhmja e tyre mund të varet nga suksesi i mundshëm i Le Pen në Francë, ndonëse një sukses i tillë shihet si kërcënim i demokracisë dhe minim i së ardhmes së vendit tonë në BE, madje shihet edhe si një kërcënim për shpërbërjen e vetë Bashkimit Europian. Pavarësisht të ardhmes që i pret, kjo duket se është edhe shpresa e vetme që kanë Berisha me mbështetësit e tij, (megjithëse ndryshe nga të gjitha forcat ekstremiste evropiane janë provuar dy herë në pushtet prandaj edhe nuk shpallen zyrtarisht të tillë) që me lëvizjen e tyre të fundit brenda PD-së, duke ditur edhe ndasitë që kanë me Perëndimin, po përpiqen të mbajnë të djathtën shqiptare peng dhe të gjejnë përkrahjen e forcave të tjera radikale kudo që janë shfaqur gjatë viteve të fundit në Europë.
Kujtojmë se një vit më parë “Agimi i Artë” në Greqi u shpall nga gjykata greke një organizatë kriminale, edhe pse kjo parti pati një rritje të dukshme, duke siguruar disa vende në Parlamentin Grek dhe atë Europian. Drejt qelisë pas humbjes së fundit është edhe ish-ministri i brendshëm italian Matteo Salvini, një tjetër përfaqësues i së djathtës ekstreme, i cili pritet të gjykohet në Sicili, si shkaktar i tragjedisë pas urdhrit që të mos ankorohej një varkë emigrantësh në gusht 2019. U dënua së fundmi për shpërdorim fondesh edhe ish-Presidenti francez, Nicolas Sarkozy. Vetëm në Shqipëri drejtësia nuk veproi kurrë karshi korrupsionit apo krimit të organizuar në nivele të larta dhe për këtë ka përgjegjës, sigurisht, por nuk mund të japin shpresë për demokraci veç retorikës populiste pikërisht ata që e katandisën sistemin e drejtësisë në gjendjen më të mjerueshme të mundshme.
Perëndimi, kryesisht SHBA-të, nisur nga dështimi i klasës politike për të ngritur një sistem drejtësie që do të mund të garantonte funksionimin normal të demokracisë, që të kishte aftësi për të ndëshkuar korrupsionin, trafiqet dhe krimin e organizuar, u investua në Shqipëri për të ngritur një shtet ligjor sipas modelit kroat. Në vendin ballkanas që ka vite që është bërë pjesë e BE-së, Gjykata e Lartë e Kroacisë vendosi këtë të hënë që të lërë në fuqi vendimet kundër ish-kryeministrit Ivo Sanader dhe shefit të gjigantit energjetik të Hungarisë MOL, lidhur me një aferë korrupsioni, duke lënë në fuqi vendimin e vitit 2019 që i shpalli ata fajtorë, të cilët vazhdojnë të vuajnë dënimin, nën akuzë për ryshfet.
Aktualisht në Kroaci ka një të djathtë radikale që po kërkon të zhvillojë një referendum dhe po vë në diskutim të ardhmen evropiane të vendit ballkanas. Fryma populiste është sfidë edhe për Shqipërinë, sepse shumica e vendeve të BE-së, në fakt, kanë aktualisht nga një parti të rëndësishme të ekstremit të djathtë, por ndryshe prej nesh ato kanë ekonomi të zhvilluar dhe shtet ligjor. Termi “e djathta ekstreme” është, natyrisht, një term i kontestuar në vendet me demokraci të zhvilluar.
Partitë që i bashkon e djathta ekstreme në Parlamentin Evropian kanë tipare mjaft të ngjashme si armiqësia e ashpër ndaj imigrimit, veçanërisht kundër myslimanëve; retorika anti-elitë, duke u futur edhe në teori konspirative; konservatorizmi kulturor, ultranacionalizmi apo edhe mosdashja e BE-së. Shpesh ka edhe një qëndrim të paqartë prej tyre ndaj fashizmit të viteve 1930 – nëse qasen me idetë e Musolinit në Itali, Frankos në Spanjë apo me nazistët në Gjermani dhe Austri.
Edhe Hitleri nga deformimi i demokracisë dhe përmes një koalicioni demokratik e krijoi fashizmin. Hija ekstremiste e viteve ‘30 qëndron sot mbi të djathtën ekstreme evropiane. Ajo u ringjall fillimisht nga partia e ekstremit të djathtë austriake kur iu bashkua për herë të parë një qeverie koalicioni në vitin 2000, apo kur Le Pen garoi në zgjedhjet Presidenciale, në 2002. Në atë kohë, zgjedhja dukej e qartë. Ekstremizmi i djathtë do të duhej të shtypej, ose demokracia do të ishte në rrezik.
Pothuajse 20 vjet më vonë, situata është shumë më e paqartë. E djathta ekstreme është krijuar sot në të gjithë Evropën dhe duket më shumë si një sëmundje kronike, sesa një kërcënim vdekjeprurës. Partitë e karakterizuara si të djathta ekstreme u janë bashkuar kohët e fundit koalicioneve qeverisëse në Austri, Itali, Estoni dhe Finlandë – por më pas e kanë humbur pushtetin. Në vend që të dështojë si dikur, demokracia sot po përshtatet.
Partitë e ekstremit të djathtë, ndonjëherë, kanë kompromentuar disa nga kërkesat e tyre radikale dhe kanë humbur popullaritetin – gjë që ndodhi me finlandezët. Ose ata janë kapur në skandale të rënda dhe kanë humbur popullaritetin dhe fuqinë – siç ndodhi në Austri dhe Estoni. Megjithatë, është ende herët për të qenë plotësisht i sigurt mbi aftësinë e demokracisë evropiane për të përvetësuar politikën e ekstremit të djathtë. Ka dy pikëpyetje të mëdha që e shoqërojnë, mbi të ardhmen. Së pari, çfarë ndodh kur një parti e ekstremit të djathtë qeveris, jo në koalicion, por më vete? Së dyti, çfarë ndodh nëse njëra nga fuqitë kryesore të BE -së devijon, në të djathtën ekstreme?
Kjo mund të kishte ndodhur në Itali, nëse qeveria e ardhshme do të imponohej nga dy partitë e së djathtës ekstreme – por që në zgjedhjet e fundit ato pësuan disfatë. Megjithatë mund të ndodhë në Francë, nëse Le Pen fiton vitin tjetër zgjedhjet presidenciale.
Provat e fundit autoritare nga Hungaria dhe Polonia nuk janë inkurajuese në lidhje me atë që e djathta ekstreme mund të arrijë. Hungaria dhe Polonia megjithatë janë pesha të vogla dhe të menaxhueshme nga BE, por nëse Le Pen do të fitonte zgjedhjet presidenciale franceze vitin e ardhshëm, tronditja do të ndihej në të gjithë kontinentin. Është e mundur që BE-ja do të shpërbëhej nën ndikimin e politikave të saj dhe prandaj radikalizmi kudo në kontinent po shpreson sot më tepër se kurrë tek një triumf i mundshëm i së djathtës ekstremiste franceze.
Në një rast të tillë Perëndimi i mbyll derën përfundimisht Shqipërisë dhe përmes të njëjtës retorikë gjen shpresë politika populiste, për realizimin e qëllimeve të saj.
Këto lëvizje nuk kanë lidhje as me të majtën dhe as me të djathtën e moderuar. Në pushtet shpesh ato nuk i ndjekin ideologjitë përkatëse. Në përgjithësi, e majta karakterizohet nga ide të tilla si “liria, barazia, të drejtat, përparimi, reformat dhe internacionalizmi” ndërsa krahu i djathtë karakterizohet nga nocione të tilla si “autoriteti, hierarkia, rendi, tradita, protestat dhe nacionalizmi”.
Në ditët e sotme termat “krahu i majtë” dhe “krahu i djathtë” përdoren si etiketime simbolike, për të identifikuar liberalët nga konservatorët. Termat u krijuan fillimisht në lidhje me pozicionet fizike që mbajtën politikanët gjatë Revolucionit Francez. Ndarja daton në verën e vitit 1789, kur anëtarët e Asamblesë Kombëtare Franceze u mblodhën për të filluar hartimin e kushtetutës së re. Deputetët e zgjedhur ishin të ndarë për çështjen se sa autoritet duhet të kishte mbreti Luigji XVI. Revolucionarët që ishin kundër mbretit u ulën në të majtë të kryetarit të Kuvendit, ndërsa mbështetësit e mbretit, më konservatorët, aristokratikët e monarkisë, u ulën në të djathtë.
Edhe pse disa studiues kanë argumentuar se autoritarizmi është karakteristikë vetëm për të djathtën dhe jo për të majtën, ekzistojnë arsye bindëse që vënë në dyshim këtë pretendim. Regjimet e majta dhe të djathta, si dhe lëvizjet radikale politike që ato kanë ndjekur, zbulojnë paralele të habitshme në stilet e tyre të angazhimit politik, mbështetjen e tyre te forca si mjet, përbuzja ndaj idealeve dhe praktikave demokratike, si dhe shkelja e lirive dhe e të drejtave civile.
Një studim i ngjashëm i kryer në disa vende evropiane zbuloi ngjashmëri të mëdha midis ekstremit të majtë dhe të djathtës ekstreme. Ata ndajnë pikëpamje të kundërta për çështjet e rendit dhe ligjit, politikën e jashtme, mirëqenien sociale, barazinë ekonomike, barazinë racore, të drejtat e grave, lirinë seksuale, patriotizmin, konventat shoqërore, fenë, vlerat familjare dhe orientimet drejt biznesit, punës dhe sipërmarrjes private. Por, e shohin njësoj jetën politike, si një konflikt midis “nesh” dhe “atyre”, një luftë midis së mirës dhe së keqes e zhvilluar në një fushë beteje ku kompromisi është kapitullim dhe qëllimi është fitorja totale.
E majta ekstreme dhe e djathta ekstreme ngjajnë me njëra-tjetrën, në mënyrën se si ndjekin qëllimet e tyre politike. Të dy janë të gatshme të censurojnë ose të mos pajtohen me kundërshtarët e tyre, të sillen ashpër me ta sikur t’i kenë armiq, t’i baltosin e të shpifin ndaj tyre aq sa të munden, deri në asgjësim jo vetëm politik (mundësisht edhe fizik). Janë gati të sakrifikojnë mirëqenien edhe të njerëzve të pafajshëm, në mënyrë që t’i shërbejnë një “qëllimi më të lartë” dhe madje përdorin taktika mizore nëse është nevoja, për të “bindur” shoqërinë mbi qëllimin dhe arritjen e objektivit të tyre.
Të dyja kanë tendencë të mbështesin (ose kundërshtojnë) liritë civile në një mënyrë shumë partiake, duke mbështetur lirinë për veten dhe për grupet dhe kauzat që ata favorizojnë përmes një autoriteti të vetëm, ndërsa kërkojnë të qëndrojnë sa më larg nga armiqtë dhe avokatët e kauzave që nuk i pëlqejnë.