Ish kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se “Foltorja” e ish kryeministrit Sali Berisha është lëvizja më e madhe politike në 30 vitet e fundit.
Në një intervistë për Klan Neës, Topalli shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Berishën, për të reformuar PD, pa Lulzim Bashën.
Topalli shtoi se “Foltorja” ishte iniciativa më e mirë që mund të ndodhte nga lideri historik i demokratëve Sali Berisha.
“Në fakt i kam paraprirë ‘Foltores’ me të gjitha qëndrimet gjatë 10 viteve të fundit. Në njëfarë mënyre kemi mbjellë bashkë me kolegët e tjerë, tharmin e asaj që është shpalosur sot në atë që quhet “Foltore”, por që është një lëvizje politike e domosdoshme”, deklaroi Topalli.
Ish kryeparlamentarja u rikujtoi demokratëve se që në muajin Maj Berisha e kishte bërë të qartë ambicien e tij për të konkurruar për poste drejtuese brenda kornizës kushtetuese të vendit.
“Është një reagim, një energji, një pozitivitet, një zgjim i jashtëzakonshëm që mund të bëjnë të mundur që duke larguar Lulzim Bashën të largojmë Edi Ramën sepse vendi jonë është në një moment të vërtetë kritik dhe ka nevojë për një lidership të ri”, tha ajo.
Topalli deklaroi se nuk synon që të kandidojë përballë Berishës dhe as kishte menduar postin e kryetares së shtetit, pasi Meta të largohet nga detyra. Për ish-nënkryetaren demokrate ka rëndësi rithemelimi i PD, rikthimi tek vlerat e qendrës së djathtë duke angazhuar njerëz me standarde të larta.
“Për të larguar e cila e ka çuar nga disfata në disfatë, për të larguar njeriun i cili e ka shitur opozitën për interesat financiare të tij, personale dhe të familjes së tij”, deklaroi Topalli.
Për Topallin propozimi për ndryshimin e Kushtetutës për vetingun e politikanëve është thjesht blof i Bashës për të larguar vëmendjen nga lëvizja për reformimin e plotë të PD.
/b.h