Ministria e Shëndetësisë është ende në pritje të analizave bakterologjike për të zbuluar shkakun e helmimit të qytetarëve në Krujë. Ministrja Ogerta Manastirliu, tha këtë të mërkurë, se gjendja është nën kontroll dhe ditën e sotme janë 14 qytetarë që po marrin shërbim shëndetësor në spital.
“Dua t’ju jap një informacion. Nga raportimet që më kanë ardhur nga ISHP dhe operatori i Kujdesit Vendor në Krujë janë ende në prite të përgjigjeve të analizave bakterologjike sa i përket analizave që janë marrë në funksion të pistave të ndryshme të hetimit që po hetohen nga specialistët tanë. Dua të theksoj faktin se në spitalin e Krujës gjendja është e kontrolluar. Ditën e sotme janë rreth 14 qytetarë, përfshirë këtu edhe fëmijë edhe adoleshentë, që janë duke marrë shërbim. Gjendja ka qenë nën kontroll. Shërbimi në spital ka qenë i plotë, në gatishmëri për të përballuar flukse nëse do të kishte. Fatmirësisht fluksi ka ardhur në rënie”, tha ministrja.
Ministrja tha se Bashkia e Krujës ka marr masat për të gjithë përballimin e situatës nga pikëpamja e dezinfektimit. Po ashtu ajo njoftoi se nga data 1 nëntori do të fillohet me vaksinimin me dozat e treta për personat mbi 60 vjeç dhe do të hapet vaksinimi edhe për fashën +16 vjeç.
/a.r