Masat anti-COVID që ka vendosur Italia duke mos lejuar udhëtimet jo të domosdoshme të shqiptarëve drejt vendit fqinj ka hapur debate të shumta lidhur me biletat e tyre. Operatorët turistikë sqarojnë se kompani të ndryshme përdorin politika të ndryshme sa i takon rimbursimit të vlerës së biletës.
Nëse nuk do të udhëtoni drejt Italisë për arsye pune, shkolle apo urgjencë, ju nuk do të mund të kaloni kufirin. Ky ishte vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë italiane pasi Shqipëria është vendosur sërish në zonën e rrezikut pasi numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur. Megjithatë, a do të rimbursohen biletat e qytetarëve. Report Tv ka pyetur agjencitë turistike.
“Biletat që janë prerë gjatë kësaj periudhe kohore, kompanitë ajrore secila ndjek politikat e veta. Ose kthen biletën ose e përdor për një kohë të dytë”
“Kompani të ndryshme kanë politika të ndryshme. Wizz air ka ofruar siguracion që shoqëronte vlerën e biletës. Çdo ndryshim i jepte udhëtarëve mundësinë për të ndryshuar datën. Udhëtarët e tjerë e kanë të pamundur të përfitojnë”, tha operatori turistik, Besnik Vathi.
Tashmë e vetmja shpresë e agjencive turistike është që këto masa të mos zgjasin gjatë.
“Shpresoj që data 15 dhjetor të jetë e fundit pasi na presin festat e fundvitit. kemi para edhe festat e nëntorit dhe është fundjavë e gjatë dhe njerëzit kishin planifikuar të shkonin”, u shpreh Alberta Zani.
Sakaq operatorët turistikë kanë edhe një apel për qeverinë shqiptare pasi rregullat e vendosura kanë ndikim të drejtpërdrejtë edhe tek ata.
“Shteti shqiptar të heqë testet pcr në hyrje qoftë për të huajt qoftë për shqiptarët. Vendosja e këtij testi nuk ka asnjë efekt pozitiv, vetëm rrit kostot e udhëtimit”, thanë ata.
Shqiptarja.com