Një ditë pas ngjarjes së ditës së djeshme, ku 39-vjeçari Genci Koreta vrau xhaxhanë e tij, Jorgji Koretën, në fshatin Mekat të Vlorës ka pllakosur zija. Në vendin e krimit vijojnë të jenë prezentë uniformat blu të Vlorës, epo ashtu edhe perimetri i rrethimit, ndërkohë që policia vijon të hetojë ngjarjen e ndodhur pasdites së djeshme.
Bëhet me dije se ngjarja e rëndë ndodhi pasi xhaxhai dhe nipi u konfliktuan për ndarjen e ullinjve që kishin shkuar të vilnin, por ende nuk ka detaje se përse agravoi debati, duke prodhuar edhe ngjarjen e rëndë.
Banorë të fshatit shprehen se janë të shokuar nga ndodhia, ndërsa flasin mirë për të dy personat,viktima të ngjarjes. Edhe pse mbetet enigmë shkaku i vrasjes së xhaxhait nga nipi, një prej banoreve kujton se vite më parë Jorgjit i ka vdekur një djalë gjatë punës në ndërtim në Greqi,ku Genci ishte bashkë me kushëririn. Këtë humbje 39-vjeçari duket se e kishte përjetuar shumë rëndë dhe se ishte kuruar edhe për depresion.
“Jam në një fis me ta, ne nuk dinim gjë që kanë patur konflikte. Genci ka qenë djalë shumë i mirë. Nuk e beson njeri që ka ndodhur kjo dhe e ka bërë djali. Ka kaluar njëherë depresion sepse xhaxhait, atij që u vra, i vdiq djali dhe ata ishin bashkë në Greqi”, thotë një banor.
“Nuk kemi dëgjuar gjë, na erdhi habi. Nuk kanë patur fare probleme. Djali ishte shumë i qetë. Nuk dimë si u erdhi kjo, u shtangëm”, shprehet një tjetër.
“Nuk e dinim që kanë patur probleme. I ati më tha se ngjarja ka ndodhur në orën 15:00 dh enë orën 18:00 u gjetën njëri i shtrinë në një anë, tjetri në anën tjetër. Nuk dimë se kush shtiu, vetëm djali ka patur armë në dorë. I gjeti kryeplaku i fshatit dhe xhaxhai i vet. Djali ishte shumë djalë i mirë”, thotë banori.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e djeshme, ndërsa familjarët thonë se janë shokuar pasi Genci dhe xhaxhai i tij, Jorgji, kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin.
g.kosovari