Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, komentoi në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, atë që po ndodh brenda Partisë Demokratike, që kur kreu i saj, Lulzim Basha, pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar.
“Do të dëshiroja një PD të shëndetshme dhe të fortë si opozitë. Ky proces që po ndodh brenda partisë është çështje e brendshme e tyre, por edhe e shoqërisë në tërësi. Mendoj që vendimi i Bashës është vendim i vonuar, por i drejtë. Pastaj, se si mund të trajtohej brenda PD-së, është çështje e brendshme e tyre. Një drejtues partie, nëse kërkon të bëhet lider, padyshim duhet të përballet me këto situata dhe nëse nuk arrin t’i çojë aty ku synon, duhet të ndash mendjen: të mbash karrigen apo lidershipin”, u shpreh Xhafaj.
“Zvarritja e një qëndrimi në vite, ka çuar këtu. Kjo tregon se zotit Basha i ka munguar forca për t’u bërë lider. Nëse ky është momenti i kthesës, nuk mund ta bëjë këtë kthesë duke thënë se kështu e do Amerika. Le ta bëjë nëse e do vendi dhe PD-ja. SHBA është partner strategjik që na ndihmon dhe mbështet, por ata që duhet të kenë përgjegjësinë për zhvillimin e vendit, jemi ne. Dhe ne duhet të marrim vendimet e vështira. Ajo që më shqetëson është që njerëzit e lidhin urdhrin ekzekutiv të Presidentit Joe Biden me një njeri. Ai urdhër shkon përtej një njeriu. Bidenit nuk i intereson as Sali Berisha, as Edi Rama, as Fatmir Xhafaj… i intereson Shqipëria”, shtoi Xhafaj.
g.kosovari