Krerët e qeverive të Bashkimit Evropian janë duke u përgatitur për një takim të vështirë të enjten, në qendër të të cilit do të jetë një përplasje lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, sipas të cilit kushtetuta e Polonisë ka epërsi ndaj ligjeve të bllokut.
Të martën Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministri polak Mateusz Morawiecki u përballën me njëri -tjetrin në Parlamentin Evropian për këtë çështje.
Zonja Von der Leyen paralajmëroi Poloninë me pezullimin e së drejtës së votimit në Bashkimin Evropian dhe shkurtimin e fondeve të BE -së. Ajo tha se vendimi i gjykatës polake se e drejta kombëtare është mbi ligjin evropian, minon themelet e traktateve të BE -së.
Polonia ka marrë 227 miliardë dollarë fondet nga BE -ja që kur u bashkua me bllokun në vitin 2004 dhe ka kontribuuar 72 miliardë dollarë në BE.
“Jam thellësisht e shqetësuar,” u tha zonja von der Leyen eurodeputetëve në një debat të ashpër me zotin Morawiecki. “Ky vendim vë në dyshim themelet e Bashkimit Evropian. Është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj unitetit të rendit juridik evropian,” tha ajo.
Ajo shtoi se ishte hera e parë që një gjykatë e një shteti anëtar vendos se traktatet e BE-së janë të papajtueshme me kushtetutën kombëtare.”
Zoti Morawiecki mbajti qëndrim sfidues, duke akuzuar BE-në për arrogancë dhe shantazh.
“Është e papranueshme të flitet për ndëshkime,” tha ai. “Unë refuzoj gjuhën e kërcënimeve dhe faktit të kryer. Shantazhi nuk duhet të jetë mjet politik,” shtoi ai.
Varshava e ka thelluar më tej mosmarrëveshjen me BE-në duke refuzuar të shpërndajë Gjykatën Kushtetuese të Polonisë. Brukseli thotë se ajo është e mbushur me aleatë politikë të partisë populiste në pushtet, Ligj dhe Drejtësi dhe për këtë arsye është e paligjshme.
Vendimi këtë muaj se kushtetuta polake ka përparësi mbi vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe praktikisht mbi traktatet e bllokut, ka përshkallëzuar mosmarrëveshjen e Polonisë me Brukselin dhe duket se do të bëhet kriza më e rëndë e BE-së që kur Britania votoi për të dalë nga blloku në vitin 2016.VOA//m.j