Denisi po bën procedurat për të plotësuar aplikimin për të dytin vit me radhë Lotarinë Amerikane.
“Ja vlen sakrifica, unë e kam dhe biznesin këtu dhe dua që të iki. Miqtë e mi shumica janë jashtë, pak na kanë ngelur këtej, shumica na kanë ikur para 6-7 vitesh dhe këta që kanë ngelur, që të gjithë do të aplikojnë për lotarinë. Amerika është vendi i mundësive, na jep një mundësi më shumë që këtu nuk e kemi”, shprehet Denis Zëre.
Denisi nuk është i vetmi që dëshiron të udhëtojnë drejt ëndrrës amerikane. Prej vitesh numri i aplikuesve nga Shqipëria ka qenë në ritme të larta. Në vitin 2019 ishin 172.817 aplikues, në vitin 2020 ishin 181.270 persona dhe në 2021 deri tani kanë aplikuar 128.871 persona.
“Po e kam plotësuar, sepse dua të vendosem në Amerikë. E shoh të ardhmen time në Amerikë. Nuk besoj në të ardhmen këtu, kam pasur shpresa po shoh që gjërat nuk janë duke shkuar siç e mendoja, nuk shoh diçka për mirë”, shprehet një i ri.
Aplikimet për Lotarinë Amerikane DV-2023 filluan më 6 tetor dhe do të mbyllet të martën, më 9 nëntor 2021.
/b.h