Ish-Presidenti Donald Trump dëshmoi nën betim të hënën në kuadrin e një padie civile të paraqitur nga protestues që pretendojnë se janë sulmuar nga rojet e tij të sigurisë në Nju Jork në vitin 2015, tha në një konferencë për shtyp avokati i protestuesve.
Ish-Presidenti Trump u ul për të dhënë një dëshmi të regjistruar në kamera mëngjesin e së hënës në Kullën Trump në Manhatan, tha Benjamin Dictor, avokati që kërkoi dëshminë e ish-Presidentit Trump në kuadrin e sfidës së zgjatur ligjore.
“Presidenti ishte ekzaktësisht siç do ta prisnit të ishte. Iu përgjigj pyetjeve në mënyrën që ju do ta prisnit zotin Trump të përgjigjej, dhe u soll në mënyrën që ju do ta prisnit të sillej”, tha zoti Dictor.
Gjykatësja e Nju Jorkut, Doris Gonzalez, urdhëroi javën e kaluar që zoti Trump të ulej për të deponuar përpara kameras.
Ish-Presidenti Trump tha në një deklaratë se ishte i kënaqur që ofroi dëshmi për këtë çështje.
“Pas vitesh procedurash gjyqësore, jam i kënaqur që pata mundësinë të them versionin tim të kësaj historie qesharake – thjesht një tjetër shembull i përndjekjes pa shkak të presidentit tuaj të preferuar”, tha zoti Trump.
Një grup protestuesish e bëri padinë në vitin 2015, duke pretenduar se rojet e sigurisë të zotit Trump i sulmuan ndërsa po demonstronin jashtë Kullës Trump në shtator të atij viti, për komentet që kandidati për president kishte bërë në atë kohë për emigrantët meksikanë, duke i quajtur kriminelë dhe përdhunues.
“Ata po sjellin droga, ata po sjellin krimin, ata janë përdhunues”, tha zoti Trump gjatë fjalimit për shpalljen e kandidaturës së tij.
Ish-Presidenti Trump përballet me disa padi civile për sjelljen përpara dhe gjatë presidencës së tij në periudhën 2017-2021.
Më herët këtë muaj, një gjykatës i Nju Jorkut i dha zotit Trump afatin e 23 dhjetorit për t’iu përgjigjur pyetjeve në kuadrin e një padie për shpifje të paraqitur nga Summer Zervos, një ish-pjesëmarrëse në emisionin “The Apprentice”.
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, zonja Zervos akuzoi zotin Trump për puthje dhe prekje të padëshiruara kur ajo po i kërkonte këshilla për karrierën në vitin 2007, dy vite pas pjesëmarrjes në emisionin televiziv.
Ajo e paditi në janar 2017, por çështja mbetet e pazgjidhur, pjesërisht për arsye se ish-Presidenti Trump kishte pretenduar se nuk mund të paditet një president në detyrë.
Çështja u qartësua kur Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke e bërë zotin Trump një qytetar të zakonshëm, vendosi gjykata në Nju Jork.
Avokatja e ish-Presidentit Trump për këtë çështje, Alina Habba, i ka mohuar akuzat e zonjës Zervos, dhe e ka quajtur padinë jo serioze./VOA
g.kosovari