Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca zhvilloi sot një takim me ministren e re të Financave Delina Ibrahimaj, së cilës i kërkoi që të dyfishojë përpjekjet për të çuar përpara reformat dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe lufta kundër pastrimit të parave, por edhe “porosi” të tjera nga BE.
“Takimi i parë zyrtar sot me ministren e sapoemëruar të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj. Ndërsa Shqipëria po tregon shenjat e para të rimëkëmbjes, është thelbësore të dyfishohen përpjekjet për të çuar përpara agjendën e reformave dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
Inkurajova ministren të ketë fokus të lartë në veprimet kundër pastrimit të parave, prioritet vendimtar në procesin e pranimit në BE. Thelbësore të përmbushen angazhimet për ndihmën makro-financiare prej 180 milion eurosh, dhe për të luajtur plotësisht rolin kryesor të Ministrisë në mbështetjen buxhetore dhe koordinimin e donatorëve” tha ai.
/b.h