Sigurohet dëshmia e punonjësit të pishinës, në hotelin në Qerret, ku u gjetën të pajetë katër turistët rusë, përkatësisht çifti Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, dhëndri i tyre, Nikita Belousov, 37 vjeç, dhe vajza e tyre, Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.
Siç raportohet, në gjithë këtë ngjarje të mistershme, e rëndësishme është dëshmia e punonjësit të pishinës, ku u gjetën trupat e pajetë të turistëve.
Ai është shprehur se turistët kishin kontaktuar hotelin dhe kishin kërkuar që të bëhej gati zona e SPA, që ata të shplodheshin, kur të ktheheshin nga vizita disa orëshe në Maqedoninë e Veriut.
“Punonjësit e hotelit janë dëshmitarët kyç të kësaj ngjarjeje, hetimet e së cilës janë shtrirë në tre shtete. Ka qenë punonjësja e recepsionit, që ka gjetur të pajetë turistët. E rëndësishme është edhe dëshmia e punonjësit të pishinës, që deklaron se pishina ka qëndruar e mbyllur për afro një javë. Një natë më parë turistët kanë kontaktuar hotelin dhe kanë kërkuar që të bëhej gati zona e SPA, që ata të shplodheshin pasi të ktheheshin nga vizita disa orëshe në Maqedoni të Veriut. Ai thotë se në orët e para të mëngjesit të së premtes e ka larë pishinën, ka zbrazur gjithë ujin, e ka larë me furçë, ka përdorur klorin për ta dezinfektuar dhe e ka bërë gati, që ta përdornin turistët”, tha gazetarja Lala për Balkanweb.
Ndërkohë, do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore, që do të japë detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë. Duhet theksuar se në Maqedoninë e veriut, së bashku me katër viktimat, kanë qenë dhe katër shtetas të tjerë, të cilët pritet të pyeten ditën e sotme, lidhur me bisedat që kanë bërë me viktimat. Ajo që është e paqartë për hetuesit është e kaluara e viktimave, pasi nuk dihet asgjë se çfarë përfaqësonin ata, me çfarë pune merreshin, nëse kanë pasur probleme në shtetin e tyre.
Pista më e fortë është ajo e asfiksisë nga klori, por po shihet dhe teza e një helmimi të mundshëm. Ndërkohë, nuk është gjetur gjurmë e ndonjë substance narkotike apo alkooli, përveç një shishe birre të hapur, duke hedhur poshtë dyshimet për mbidozë, ndaj dhe dyshimet kryesore janë për asfiksi.
/b.h