Pirro Dhima mbushi 50 vjeç më 13 tetor dhe media greke i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme datëlindjes jubilare të himarjotit. Në një rrëfim për të përditshmen “gazzetta.gr” shtangisti ka rrëfyer se si ka ikur nga Tirana me taksi drejt Athinës, pasaportën greke që ia dorëzuan në avion dhe lejen që mori nga Federata shqiptare për të garuar me flamurin grek. Pirro Dhima ka kaluar gjysmën e jetës duke u stërvitur.
Ai kapërceu shumë pengesa për t’u bërë atleti që theu rekorde. Iu desh të sfidonte edhe vështirësi të mëdha në jetën personale sepse gjatë rrugës hasi shumë pengesa, lëndime, hidhërime dhe humbje. Sidoqoftë, ai kurrë nuk u dorëzua. Ai arriti të bëjë gjëra që 99% e atletëve në të gjitha sportet as nuk guxuan t’i ëndërrojnë.
Nëse flasim për sukseset në peshëngritje, në fund të fundit, debati do të jetë “Dhima ose Suleimanoglou”. Pirro, atleti më i suksesshëm grek në histori me 4 medalje olimpike (3 ari, një bronz), 6 ari në kampionatin botëror dhe tri në Europian (gjithsej 26 medalje në tri evenimentet), si dhe disa rekorde botërore (vetëm tri në Atlanta në 1996).
NGA TIRANA ME TAKSI
“Hipa në një taksi për të ardhur nga Tirana në Athinë”, thotë Dhima. Udhëtimi i tij në Greqi më 7 shkurt 1991 ishte aventuresk. Dhe kjo, sepse u nis në 1 të mëngjesit nga Tirana me një taksi për të mbërritur në Athinë pas afro 14 orësh. “Ishte shkurti i ’91-shit kur hipa në një taksi për të ardhur nga Tirana në Athinë. Isha gati të fluturoja, por fluturimi u anulua. Mora një taksi për në Kakavijë dhe prej andej një taksi tjetër që Zguro kishte dërguar për të më çuar në Athinë. Sigurisht, kisha qenë edhe më parë në Greqi, por më pas u vendosa në një studio të Nea Smyrnit. Kur erdhën prindërit e mi morëm apartamentin në Solonos, që në fakt ishte një gjysmë bodrum”, kujton Pirro Dhima.
PASAPORTA NË AVION NGA MITSOTAQIS
“Pasaportën ma solli shoferi i Mitsotaqis”, shpjegon Dhima. Edhe pasi mbërriti në Greqi, derisa hipi në aeroplan për në Barcelonë nuk e dinte nëse do të ishte në gjendje të garonte për Greqinë. Kjo sepse ai e mori pasaportën në minutën e fundit. Dhe ai moment i është ngulitur në kujtesë… “ Për të qenë në gjendje të garoja në Barcelonë, së pari më duhej të kualifikohesha. Federata e Shqipërisë më kishte dhënë leje për t’u transferuar në Greqi.
Unë shkova të konkurroja me një pasaportë diplomatike dhe mora kualifikimin, por nuk kisha pasaportën greke. E mora pasaportën greke në minutën e fundit, pak para se të hipja në avionin me të cilin do të udhëtoja drejt Barcelonës. Aty erdhi shoferi i Mitsotaqis dhe më dha dokumentin personalisht”, kujton Dhima
GREKËT DYSHONIN
Ai më në fund arriti të shkojë në Barcelonë dhe në mendje kishte vetëm medaljet. Ëndërronte atë të arit… Ishte ende i panjohur në Greqi kur deklaroi objektivat e tij dhe gazetarët e panë me dyshim… “Isha në Barcelonë për një medalje, por nuk e dija se çfarë ngjyre do të ishte. Mbaj mend që kamerat erdhën në aeroport dhe kur më pyetën për objektivat e mi, u thashë se po shkoja për medalje ari. Ata nuk më njihnin atëherë dhe mbaj mend që tundën kokën gjithë dyshim. Ku ta dinin… Më në fund fitova medaljen e parë. Ashtu si edhe ajo e fundit, ato janë dy më të rëndësishmet në karrierën time”.
PARAKALIMI ME VOULA PATOULIDOU
Gjatë kthimit në Greqi, së bashku me atleten Voula Patoulidou, ata përjetuan momente historike në pritjen për në Kallimarmaro. Pirro rrëfen historinë me Patoulidoun, pak para se të zbrisnin nga avioni, ku ajo i tregoi se gjithë populli ishte mbledhur për ata të dy. “Isha i habitur nga ajo që po ndodhte jashtë. Kur u kthyem në Athinë mbaj mend që para meje ishte Voula. Ajo u përkul para dritares dhe shikoi jashtë për të parë se çfarë po ndodhte. Aty me stil më vunë mua të parin që të dilja nga avioni. Ende nuk e kisha kuptuar se çfarë po ndodhte jashtë. Ishte vërtet e paparë. Moment jashtëzakonisht emocionues”, thotë Dhima.
AJRI I KONDICIONUAR E STRESOI NË ATLANTA
Në moshën 21 vjeç ai fitoi medaljen e artë, por kur ishte 25 ai shkoi në Atlanta si favoriti i madh për medalje ari. Atje përjetoi stresin më të madh në karrierën e tij. Dhe pothuajse gjithçka u shkatërrua për shkak të një… kondicioneri. “Në Atlanta shkova me objektiva të mëdha, sepse kisha fituar medalje 4 vite më parë dhe konsiderohesha favorit. Për 3 muaj u përgatitëm në Atlanta dhe ishim larg nga të njohurit. Ishim larg stresit dhe nuk e dinim se çfarë shkruante media. Nga Atlanta nuk do ta harroj kurrë se kur shkuam në një fshat jetuam çift në apartamente. Pak ditë nga data e garës, një natë në orën 2:00, dikush ndezi kondicionerin dhe unë që flija me fytyrë poshtë u zgjova në mëngjes me një të ftohtë në shpinë. Imagjinoni, kjo ndodhi të martën dhe unë garoja të shtunën. Për tri ditë nuk munda të stërvitem dhe vrapova te mjekët për trajtime dhe kortizon. Një ditë më parë u përmirësova dhe zhvillova garën time më të mirë. Isha rehat dhe nuk kisha asnjë presion”, rrëfen Dhima.
REVANSHI NË SIDNEJ
“Në Sidnej miqtë dhe armiqtë thanë se do të humbisja”, shprehet ish-shtangisti. Katër vjet më vonë ai shkoi në Sidnej për të shkruar një histori kundër parashikimeve dhe gabimeve që bëri, por mania e tij me shalqinjtë gati i kushtoi shtrenjtë. “Për Sidnejin, më kujtohen të njohurit, miqtë dhe armiqtë që thoshin se do të humbisja. Nga ana tjetër, unë kisha një çështje me shalqirin dhe kilogramët. Kur i humba nuk e dija më ku isha. Më dukej sikur isha një atlet tjetër. Garën në shkëputje për pak e anulova, por në një garë peshëngritjeje nuk ke kohë të mendosh gjatë. Por a e dini se çfarë më motivoi? Disa nga rivalët nisën të festonin ende pa mbaruar gara dhe kjo preku sedrën time. Ndikoi pozitivisht sepse më nxiti që të luftoja më fort dhe të merrja një tjetër rezultat të mirë”, deklaron ai.
ME NJË KËMBË DHE NJË DORË NË ATHINË
Në moshën 33-vjeçare ai kishte vendosur të tërhiqej. Donte të përfundonte karrierën e tij në shtëpi në Lojërat Olimpike të Athinës. Vetëm se për t’u arritur kjo, ai duhej të kalonte 1 mijë pengesa… “Në Athinë kam pasur shumë dëmtime. Në vitin 2001 operacioni i shpatullave. Në vitin 2003 operacion në menisk dhe në 2004 kisha probleme me këmbët. Plus mosha, sepse vitet kalonin. Rreth një muaj e gjysmë para Olimpiadës pata një problem me kërcirin tim dhe Nikolaou më tha që të bëja një operacion. Nuk doja, por më në fund u binda. Unë nuk isha 100% gati për garat dhe të hënën, gjashtë ditë para finales, godita dorën në stërvitje duke ngritur 170 kg. Ne shkuam te mjeku, morëm kortizon, por nuk ishte mjaftueshëm që unë të garoja. Më në fund bëra ‘xylocaine’ një natë më parë, – rrëfen Dhimas – . E kuptova që nuk kisha dhimbje dhe hyra në garë. Aty bëra përsëri ‘xylocaine’. Muskujt më ishin bërë cung. Trupi nuk po funksiononte siç duhet, veçanërisht në vapë. Por ishte gara ime e fundit dhe doja të luftoja. Të them të drejtën, me gjithë këtë nuk prisja të merrja një medalje. Nxora atë që kishte mbetur në rezervat e mia si atlet: me një këmbë dhe një dorë. Dhe pastaj fitorja ishte një… magji”.
DEPRESIONI PAS TËRHEQJES
“E kam parë shpesh videon kur kam deklaruar tërheqjen dhe nëse e shikoni me vëmendje isha i hutuar. Nga njëra anë u mërzita sepse nuk do të garoja më, por nga ana tjetër mendova që të paktën nuk do të kisha më vuajtje fizike. Por në fakt nuk e dija se çfarë më priste… Kur u tërhoqa zemra ime u thye sepse kuptova që kishte ardhur fundi. U ndjeva pak në depresion, sepse isha shkëputur nga realiteti. Për çdo atlet që tërhiqet nga veprimtaria aktive është e vështirë. E vështirë sepse duhej të gjesh një ekuilibër mes familjes dhe qëllimeve të reja. Në periudha të tilla nuk e di më se cili është hapi i ardhshëm. U mbylla në vetvete dhe mbaj mend që një ditë i thashë bashkëshortes time të ndjerë: “Anastasia, për 6 muaj më lër të fle”. Nuk po stërvitesha më, nuk po bëja më asgjë në jetë. Gjithçka e kotë, por ndërkohë e dija se duhej të kthehesha sa më shpejt në realitet. Ishte e çuditshme, sepse më duhej të vrapoja për fëmijët për t’i çuar në shkollë dhe në stërvitjet për futboll. Më duhej të dilja për të bërë pazar. Mbaj mend që një herë Anastasia më tha të merrja sheqer, bukë dhe kafe dhe unë e pyeta nëse mjaftonin 50 euro…! Nuk kisha asnjë ide për këto gjëra, por, gjithsesi, unë u futa në jetën e përditshme gradualisht me mbështetjen e familjes sime për të kapërcyer tronditjen e tërheqjes nga sporti. Më pas e kuptova se jeta nuk ka të bëjë vetëm me ngritjen e peshave”, thotë tri herë medalisti i artë olimpik për “Gazzetta.gr”.
RIKTHIMI SI PROTAGONIST
Gjithsesi, ai nuk qëndroi shumë larg peshëngritjes. Pasi u angazhua në politikë dhe hyri në parlament me partinë PASOK, Dhima iu përkushtua përsëri sportit të tij dhe shpejt mori drejtimin e federatës greke të shtangës, që asokohe po kalonte periudhën më të keqe në histori me skandale dopingu dhe probleme të mëdha financiare. “Vendosa të vë emrin tim për të shpëtuar sportin, ndërsa të gjithë të tjerët fshiheshin. Kam paguar 400,000 dollarë me qëllim që kjo federatë të mos i kishte borxh askujt, ndërkohë që nuk kishte më as sponsorë. Buxheti u zvogëlua, por ne arritëm të mos kishim borxhe në 2015-ën. Ne jemi përpjekur për 7 vjet me disa partnerë për ta ngritur federatën në këmbë. Njerëz që disa i konsideronin… të huaj në këtë sport, por ndihmuan në gjetjen e sponsorëve dhe parave”, tha ai.
JETA NË SHBA DHE HUMBJA E GRUAS
Dhima është sot drejtori teknik i ekipit amerikan të peshëngritjes. Një punë për të cilën ai është kritikuar, megjithatë, siç thekson Dhima, ai nuk bën asgjë të paligjshme. Përkundrazi, për shumë arsye kishte nevojë për punë shtesë. “Kisha gjetur dyer të mbyllura në Greqi gjatë kohës kur mora një ofertë nga Shtetet e Bashkuara. Disa këtu më trajtuan si armik, por unë nuk e pranova ofertën direkt në atë kohë sepse kisha fëmijët që studionin dhe kisha një grua të sëmurë. Nuk mund të shkoja në SHBA. Shkova më pas. Dhe puna që bëj në SHBA nuk ka të bëjë me atë që bëj në Greqi. Është një nder për Greqinë që të ketë një drejtor teknik në një federatë të madhe të huaj”, thekson Dhima. -Përjetuam një dhimbje të madhe, sepse bashkëshortja Anastasia humbi jetën në vitin 2018. Ne ende po përpiqemi të mbledhim eshtrat tona nga humbja e saj. Me angazhimet e mia midis SHBA-së dhe Athinës gjërat nuk ishin aq të lehta. Tre nga katër fëmijët aktualisht jetojnë në Greqi, ndërsa Maria studion për biologji në një universitet në Çikago. Gjatë këtyre viteve ne kemi bërë Çikago-Athinë sikur të ishte Kypseli-Kolonaki. Jemi një familje e lidhur ngushtë, pavarësisht faktit që jetuam larg njëri-tjetrit”.
MESAZHI PËR FËMIJËT
Për Pirro Dhimën, jeta në moshën 50 vjeç është plot me detyrime, të cilat pas humbjes së gruas së tij janë shtuar. Megjithatë, ai përpiqet t’u përcjellë fëmijëve të tij anën optimiste të situatës. “Edhe sot ne përpiqemi të mbledhim veten nga humbja e Anastasias. Të gjithë po përpiqemi të mbështesim kryesisht të voglin që është ende 12 vjeç. Ai ka nevojën më të madhe për mbështetje. Asgjë nuk është e lehtë në jetë. Ajo që dua t’u përcjell fëmijëve të mi për të ardhmen e tyre është të jetojnë çdo ditë veç e veç dhe të shijojnë jetën e tyre”, tha ai, ndërsa theksoi për kancerin: “Kanceri është një çështje shumë e vështirë dhe ka njerëz që luftojnë çdo ditë për të gjetur kurën për të. Kur i ndodhi gruas sime, unë thashë: Pse ne? Por duke bërë kimioterapinë e saj, pashë foshnje dhe fëmijë të vegjël rreth nesh dhe kuptova se nuk jemi vetëm. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jetojmë dhe të shijojmë çdo ditë të jetës sonë”. /Panorama/
/b.h