Sërish një dorë e shtrirë drejt demokratëve. Këtë herë për të zgjatur afatet e vettingut deri në dy vite. Konkretisht, shumica socialiste propozon zgjatjen e mandatit të Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik deri në 31 Dhjetor të vitit 2024.
Vendimin që procesin e vettingut të magjistratëve ta mbyll KPK-ja dhe jo Kolegji Zgjedhor i Prokurorëve dhe ai i Gjyqtarëve, siç është e parashikuar në kushtetutë pas Qershorit të vitit të ardhshëm, kryeministri Edi Rama tha se është i nevojshëm për vijimësinë e zbatimit të reformës në drejtësi.
Ndonëse amendamenti është depozituar në Kuvend me firmën e mbi 28 deputetëve ende nga Partia Demokratike nuk ka një reagim konkret. E vetmja gjë që konfirmohet nga demokratët është se nuk ka pazar me PS.
Zgjatja e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kërkon ndryshimin e Kushtetutës, për të cilën duhen 94 vota pro, ose dy-të-tretat e votave të parlamentit me 140 anëtarë. Në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit Partia Socialiste fitoi 74 deputetë, ndërsa Partia Demokratike 59 deputetë, duke e bërë bashkëpunimin të domosdoshëm.
Reforma në drejtësi nisi 5 vjet më parë me miratimin e 140 deputetëve të Kuvendit, falë angazhimit të SHBA-ve dhe BE-së, që duket se kanë dhënë bekimin edhe për të zgjatur afatet e vetingut.
Po ashtu, edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, institucioni që monitoron procesin e vetingut në Shqipëri është dakord që Parlamenti të zgjasë afatet kushtetuese të organeve të vetingut, për të bërë të mundur vijimin e procesit pa pengesa. TEMA